Kruja plotë me drogë, zbulohen 100 parcela
Kruja plotë me drogë, zbulohen 100 parcela
Operacioni kundër kultivimit të kanabisit është zhvendosur në zonat e thella malore të Krujës, ku forcat e Policisë së Tiranës dhe Krujës po zhvillojnë kontrolle intensive në terren prej orëve të para të mëngjesit të së martës.
Burime bëjnë me dije se deri tani janë zbuluar dhe asgjësuar rreth 5 mijë bimë narkotike, të kultivuara në afro 100 parcela të shpërndara në zona të vështira për t’u aksesuar. Sipas burimeve policore, parcelat ishin organizuar në sipërfaqe të vogla, me nga 50 deri në 100 rrënjë secila.
Bimët narkotike janë shkatërruar në vend, ndërsa hetimet janë përqendruar në identifikimin e personave që qëndrojnë pas kultivimit.
Megjithëse deri më tani nuk ka persona të arrestuar, policia ka arritur të identifikojë disa të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim.
Në operacion janë angazhuar 15 grupe efektivësh, që po kontrollojnë zona të ndryshme malore, ndërsa aksioni pritet të vijojë edhe në ditët e ardhshme.
Policia synon jo vetëm asgjësimin e parcelave me kanabis, por edhe goditjen e rrjetit që fshihet pas kultivimit të tyre, me fokus dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësve.
