E bujshme, Ernest Muçi mund të përfundojë në Serinë A, Max Allegri jep “ok” për transferimin e fantazistit kuqezi
Ernest Muçi mbylli një sezon fantastik te Trabzonspor në Superligën turke, duke realizuar 11 gola në 26 ndeshje, gjë e cila detyroi klubin nga Trabzoni të paguante klauzolën ndaj klubit të Besiktas për blerjen përfundimtare të kartonit të fantazistit kuqezi. Megjithatë duket se e ardhmja e Muçit mund të jetë larg Turqisë, pasi ai mund të ndryshojë ekip në këtë merkato.
Mediat italiane dhe ato turke bëjnë me dije se klube të rëndësishme evropiane i janë vënë pas Ernest Muçit. Oferta e radhës e bujshme për Muçin vjen pikërisht nga nënkampionët e Italisë. Napoli raportohet të ketë ofruar 16 milionë euro dhe huazimin e një lojtari, për të transferuar përfundimisht Muçin.
Nëse kartoni i yllit të Kombëtares shitet këtë verë, padyshim që shifra e transferimit do të jetë rekord për të. Kujtojmë që më parë ishte Beshiktash që shpenzoi 10 milionë euro te Legia e Varshavës.
Napoli do të drejtohet nga Alegri pas largimit të Kontes. Ndaj afrimi i Muçit shikohet edhe si “dhuratë” për sezonin e ri.
Kujtojmë se edhe disa vite më parë, Muçi u lakua për një kalim te Napoli. Këtë herë që flitet edhe me shifra, situata shfaqet më interesante. Për fantazistin shqiptar ndërkohë mbeten të interesuar në Bundesligë, ndërsa së fundmi është përmendur edhe emri i Frankfurt.
