Miratohet ligji! Hiqet gara për Drejtorët dhe shefat e komisariateve…i zgjedh HITA!
Miratohet ligji! Hiqet gara për Drejtorët dhe shefat e komisariateve…i zgjedh HITA!
Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit, hiqet gara për shumicën e posteve drejtuese
Komisioni për Çështjet Ligjore ka miratuar ndryshimet në ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili tha se ndryshimet janë pjesë e përditësimit të kuadrit ligjor në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Por çfarë ndryshon konkretisht në Policinë e Shtetit?
Projektligji parashikon ndryshime të rëndësishme në mënyrën e emërimit të drejtuesve të Policisë, sistemin e gradave dhe statusin e Drejtorit të Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me heqjen e konkurrimit për shumicën e posteve drejtuese. Ndryshe nga ndryshimet e miratuara në korrik të vitit 2024, të cilat vendosën për herë të parë garën për emërimin e drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, tashmë propozohet që konkursi të mbetet vetëm për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm.
Sipas projektligjit, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtuesit e departamenteve, drejtorët vendorë dhe shefat e komisariateve nuk do të kalojnë më në proces konkurrimi, por do të emërohen nga Drejtori i Përgjithshëm, në disa raste me miratimin e ministrit dhe në raste të tjera me vendim të drejtpërdrejtë.
Në relacionin shoqërues argumentohet se procedurat e konkurrimit kanë rezultuar të gjata, burokratike dhe joefikase, duke penguar funksionimin normal të strukturave policore dhe reagimin operacional.
Projektligji sjell ndryshime edhe për statusin e Drejtorit të Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit. Ligji aktual parashikon që ai nuk mund të rikthehet në strukturat e Policisë, përveç funksioneve në mësimdhënie.
Me ndryshimet e propozuara, ish-Drejtori i Përgjithshëm do të marrë gradën “drejtues i parë” dhe do të ketë mundësi të vijojë karrierën në Policinë e Shtetit në role këshillimore, pedagogjike ose si oficer kontakti, pa të drejtë rikthimi në postin e Drejtorit të Përgjithshëm. Gjithashtu, ai do të përfitojë trajtim të veçantë, që do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Sipas relacionit, kjo synon të ruajë dhe të shfrytëzojë eksperiencën e drejtuesve të lartë, duke e vënë atë në funksion të institucionit edhe pas përfundimit të mandatit.
Ndryshime propozohen edhe për sistemin e gradave. Afati minimal prej pesë vitesh për kalimin nga grada “komisar” në “kryekomisar” dhe nga “kryekomisar” në “drejtues” do të reduktohet në katër vjet.
Argumenti i paraqitur është se sistemi aktual demotivon punonjësit me performancë të lartë dhe e vendos theksin te koha e shërbimit, në vend të rezultateve profesionale.
Një tjetër risi është kompetenca që i jepet Drejtorit të Përgjithshëm për të avancuar në gradë punonjës të Policisë edhe para përfundimit të afateve ligjore, në raste të veçanta. Kjo do të zbatohet për efektivët që dallohen për akte heroike, sakrifica apo rezultate të jashtëzakonshme në luftën kundër krimit dhe në garantimin e rendit publik.
Projektligji tani pritet të kalojë për votim në seancë plenare brenda këtij sesioni parlamentar.
