Wed, Jul 1, 2026

Dy vëllezër e monitoruan me kamera pranë burgut

Dy vëllezër e monitoruan me kamera pranë burgut
  • PublishedJuly 1, 2026

Plagosja e Brian Syzos në Pogradec, zbardhen detaje të reja: Dy vëllezër e monitoruan me kamera pranë burgut

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga plagosja e ndodhur pak ditë më parë në Pogradec, ku mbeti i plagosur Brian Syzo, një person i njohur për policinë për shkak të precedentëve penalë.

Sipas burimeve hetimore, rreth katër ditë para atentatit, në afërsi të burgut të Drenovës ishte vendosur një kamerë nga dy vëllezërit Nikolla dhe Edison Agolli, me qëllim monitorimin e lëvizjeve të Brian Syzos. Nga këqyrja e pamjeve filmike dyshohet se ata prisnin momentin kur Syzo do të shkonte për të takuar vëllain e tij, Sindi Syzo, i cili po vuan dënimin për plagosjen me thikë të Nikolla Agollit në një berberhane.

Autori i dyshuar i plagosjes, 24-vjeçari Nikolla Agolli, u arrestua në Prrenjas pak orë pasi u largua nga vendi i ngjarjes.

Sipas hetimeve, shkak i plagosjes dyshohet të jetë një konflikt i vjetër mes dy familjeve, që daton nga tetori i vitit 2025, kur vëllai i Brian Syzos, Adni Syzo, plagosi me thikë Nikolla Agollin në një berberhane.

Brian Syzo ishte ekstraduar nga Gjermania në gusht të vitit 2025, pasi ndaj tij Gjykata e Korçës kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e shitjes së dozave të kokainës në Pogradec.

Pas atentatit, automjeti i përdorur nga autori u gjet në zonën e Qafë-Thanës, ndërsa policia vijon kërkimet për gjetjen e armës së krimit, e cila dyshohet se është hedhur pranë liqenit.