Wed, Jul 1, 2026

SPAK paraqet rekomandimet për reformën zgjedhore: Duhet ndjekur gjurma e parasë dhe të ashpërsohen masat ndaj krimit zgjedhor

SPAK paraqet rekomandimet për reformën zgjedhore: Duhet ndjekur gjurma e parasë dhe të ashpërsohen masat ndaj krimit zgjedhor
  • PublishedJuly 1, 2026

SPAK paraqet rekomandimet për reformën zgjedhore: Duhet ndjekur gjurma e parasë dhe të ashpërsohen masat ndaj krimit zgjedhor

Kreu i SPAK paraqiti në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore qëndrimin institucional të Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar se mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve është çështje e sundimit të ligjit dhe e besimit të qytetarëve te institucionet.

Gjatë raportimit, u bë e ditur se për periudhën 2021–2025, SPAK ka administruar 233 materiale që lidhen me krimet zgjedhore, nga të cilat 157 janë regjistruar si procedime penale. Vetëm për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 janë administruar 194 sinjalizime, kallëzime dhe referime.

Sipas SPAK, nga 46 procedimet penale të regjistruara gjatë vitit 2025:
• 5 procedime me 9 të pandehur janë dërguar për gjykim;
• 9 janë dërguar për pushim;
• 5 janë transferuar për kompetencë në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm;
• 22 çështje vijojnë të jenë në hetim.

SPAK vlerësoi se strategjia e posaçme e ndjekur gjatë zgjedhjeve të vitit 2025 solli një qasje më proaktive, duke mos pritur vetëm kallëzimet, por duke identifikuar rastet mbi bazën e analizës së riskut dhe bashkëpunimit me institucionet e tjera.

Në fjalën e tij u theksua se jo çdo shkelje zgjedhore përbën vepër penale dhe se kompetenca e SPAK kufizohet kryesisht te veprat e korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje, ndërsa rastet e tjera trajtohen nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, përveç rasteve të parashikuara në ligj.

Një nga rekomandimet kryesore të SPAK për reformën zgjedhore është hartimi i një Strategjie Kombëtare për Parandalimin, Identifikimin dhe Hetimin e Krimit Zgjedhor, si edhe kthimi i bashkëpunimit mes SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme, KQZ-së, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera në një mekanizëm të përhershëm të parashikuar me ligj.

SPAK kërkoi gjithashtu rishikimin e politikës penale për format më të rënda të krimit zgjedhor, duke propozuar që dënimet të diferencohen sipas rolit të autorëve, si kandidatët, zyrtarët publikë, financuesit apo organizatorët e skemave të korrupsionit zgjedhor.

Në përfundim, drejtuesi i SPAK theksoi se hetimi i krimit zgjedhor duhet të fokusohet te “gjurma e parasë”, pasi vetëm duke ndjekur burimin e financimit dhe përfituesit realë mund të goditen organizatorët e skemave që synojnë deformimin e vullnetit të zgjedhësve. Sipas tij, modeli i ndjekur në zgjedhjet e vitit 2025 duhet të shërbejë si bazë për një politikë kombëtare më të qëndrueshme kundër krimit zgjedhor.