SKANDAL! Tonelata naftë u shit kontrabandë në Shqipëri, në Kosovë shkoi ujë! Pse heshtin autoritetet shqiptare
SKANDAL! Tonelata naftë u shit kontrabandë në Shqipëri, në Kosovë shkoi ujë, pse heshtin autoritetet shqiptare
Dhjetëra biznese që merren me importin dhe tregtimin e derivateve të naftës në Kosovë janë vënë nën hetim nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në një nga operacionet e mëdha të viteve të fundit kundër krimit ekonomik dhe kontrabandës së karburanteve.
Sipas burimeve, skema dyshohet se i ka shkaktuar qindra mijëra euro dëm buxhetit të Republikës së Shqipërisë, ndërsa përmes transaksioneve fiktive është përdorur edhe për pastrim parash në Kosovë.
Hetimet dyshojnë se grupi kriminal kishte ngritur një mekanizëm të sofistikuar të kontrabandimit të naftës dhe shmangies së detyrimeve tatimore. Nafta importohej nga kompani në Kosovë, kalonte në tranzit përmes Shqipërisë dhe, sipas dyshimeve, përfundonte në tregun shqiptar, ku shitej në të zezë duke përfituar nga diferenca e lartë e akcizës dhe taksave mes dy vendeve.
Sipas burimeve, pasi nafta shkarkohej në Shqipëri, mjetet transportuese mbusheshin me ujë dhe vijonin rrugën drejt Kosovës. Më pas paguheshin detyrimet doganore në Kosovë, ndërsa rrjeti dyshohet se mbulonte mungesën e karburantit me fatura dhe transaksione fiktive të krijuara përmes bizneseve të derivateve.
Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar nëntë persona, të cilët dyshohen për shpëlarje parash, kontrabandë mallrash, organizim të grupit kriminal, përdorim të dokumenteve të rreme tatimore dhe shmangie nga tatimet.
Megjithatë, ndërsa në Kosovë operacioni ka çuar në arrestime dhe masa hetimore ndaj dhjetëra bizneseve, në Shqipëri nuk ka ende asnjë reagim zyrtar nga Policia e Shtetit apo Prokuroria lidhur me këtë skemë.
Kjo, edhe pse vetë skema e dyshuar ka si pikë kyçe territorin shqiptar dhe, sipas burimeve, implikon edhe pika karburanti në Shqipëri, të cilat dyshohet se kanë shërbyer për shitjen e naftës së kontrabanduar dhe për justifikimin e qarkullimit të saj në treg.
Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse autoritetet shqiptare kanë regjistruar procedim penal, kanë kryer kontrolle apo kanë nisur hetime konkrete për subjektet që dyshohet se janë përfshirë në këtë aktivitet.
Sipas burimeve, hetimi pritet të shtrihet edhe në Shqipëri, ndërsa mbetet për t’u parë nëse institucionet shqiptare do të ndërmarrin veprime për të verifikuar rolin e kompanive dhe pikave të karburantit që dyshohet se janë pjesë e kësaj skeme ndërkufitare.
