VKM në shërbim të çunave të kokainës! Projekt kullash te Garda
VKM në shërbim të çunave të kokainës! Projekt kullash te Garda
Rënia e vazhdueshme e euros përballë lekut ka rikthyer prej kohësh debatin mbi burimin e sasive të mëdha të valutës që qarkullojnë në Shqipëri. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, sot një euro u këmbye mesatarisht me më pak se 94 lekë, një nga nivelet më të ulëta të regjistruara ndonjëherë.
Kullat u thyen në mes! Braho: Do të vazhdojmë goditjet pavarësisht efekteve në ekonomi
Ndërkohë, një dosje hetimore e SPAK, e konsultuar nga Skyweb.al, hedh dritë mbi dyshimet se një pjesë e këtyre flukseve financiare lidhen me pastrimin e parave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës, të cilat, sipas hetimeve, investoheshin në sektorin e ndërtimit dhe në pasuri të paluajtshme.
Në dosjen ku nën hetim janë Ilir Shtufi, Luçiano Koçeku dhe persona të tjerë, prokurorët përshkruajnë një skemë të dyshuar të investimit të parave në projekte ndërtimore, kryesisht në Tiranë dhe në jug të vendit. Sipas SPAK, fondet dyshohet se janë përdorur për blerje tokash, ndërtim kullash, vilash dhe përfitim pronash, përfshirë edhe toka shtetërore të kaluara në pronësi private.
Një nga episodet e evidentuara në dosje lidhet me një pronë pranë Gardës së Republikës, afër Liqenit Artificial të Tiranës, ku persona të grupit shfaqnin interes për zhvillimin e një projekti ndërtimor.
Në një komunikim të interceptuar nga hetuesit, dy persona flasin për ecurinë e procedurave dhe për pritjen e një vendimi të Këshillit të Ministrave që do të mundësonte ndryshimin e statusit të tokës dhe regjistrimin e saj në hipotekë.
“Kusho, Garda në rregull ka qenë, takim Ilir dje, ka kalu, është shpall fitusi. Javën tjetër presim një VKM për ndrrimin e tokës në hipotekë, max 10 ditë, 2 javë mbyllen kontratat”, thuhet në bisedën e administruar nga SPAK.
Personi tjetër përgjigjet:
“Ok super kush, po shihemi më vonë.”
Sipas materialeve hetimore, ky komunikim ngre dyshime se personat e përfshirë kishin dijeni paraprake për një vendimmarrje të pritshme të qeverisë, e cila konsiderohej vendimtare për finalizimin e kontratave të lidhura me projektin.
Si u qarkulluan milionat e shqiptarëve deri te Kulla e Bolit! Roli i Vilma Nushi dhe Milva Ekonomi
SPAK vlerëson se Ilir Shtufi rezulton të ketë pasur interes të drejtpërdrejtë dhe dijeni mbi procedurat, ndërsa komunikimet e administruara sugjerojnë se ecuria e investimeve varej nga miratimi i një VKM-je.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar rrugën e parave që dyshohet se janë përfituar nga trafiku ndërkombëtar i kokainës dhe më pas janë kanalizuar në investime në pasuri të paluajtshme, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre. Marre me ndryshime nga SKYWEB

