SPAK zbarkon në KPP, shkelësit nuk do shpëtojnë
Prej afro 10 ditësh, Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) nuk funksionon më, pasi anëtarëve të tij u ka përfunduar mandati.
Ligjërisht, ata nuk mund të ushtrojnë më detyrën dhe KPP-ja është jashtë funksionit deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj.
Ndërkohë, në muajin maj, një prokurim publik do t’i kursente shtetit mbi 37% të fondit për instalimin e portave hyrëse-dalëse e-Gate në portet e Durrësit dhe Sarandës. Megjithatë, KPP e ka bllokuar këtë procedurë pas ankimimit të kompanisë humbëse.
Deri këtu nuk ka asgjë të pazakontë, pasi KPP dhe Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) janë institucione që financohen nga taksat e qytetarëve duke marrë rrogë të konsiderueshe dhe benefite si dhe kanë për detyrë të garantojnë që prokurimet të zhvillohen në interes të shtetit, duke balancuar koston me cilësinë e shërbimit.
Por, nëse pas ankimimit shpallet fituese kompania me ofertën më të lartë ekonomike, lind pyetja: kujt i shërben vendimmarrja e KPP-së?
Burime për WebLajm.com bëjnë me dije se, me 3 vota pro dhe 1 kundër, prokurimi është hequr nga kompanitë fituese me ofertën më të ulët dhe i është dhënë një tjetër operatori, me një ofertë me vlerë më të lartë ekonomike.
Paradoksi qëndron në faktin se anëtarët që morën vendimin për anulimin e procedurës nuk e kanë bërë ende publik vendimin e tyre.
Nga ana tjetër, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) kanë nisur një hetim pikërisht për këtë praktikë, pasi dyshohet se disa nga anëtarët janë përgjuar duke kërkuar favore ekonomike në këmbim të ndikimit në vendimmarrje.
