Zbardhen bisedat! Jo vetëm kokainë dhe para, “çunat” e drogës ranë në dashuri me vajzat latine në Ekuador
Përveç takimeve që zhvillonin drejtuesit e grupeve kriminale për koordinimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës, hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) tregojnë se organizata kishte ngritur një rrjet të konsoliduar në disa shtete të Amerikës Latine. Në Kolumbi, Ekuador, Brazil, dhe vende të tjera ku sigurohej lënda e parë e kokainës, shumë shqiptarë të përfshirë në grup ishin vendosur prej vitesh, duke zhvilluar jo vetëm aktivitet kriminal, por edhe një jetë të zakonshme.
Sipas bisedave të zbardhura nga platforma e enkriptuar SKY ECC, disa prej personave nën hetim konfirmojnë se anëtarë të grupit kishin krijuar lidhje me vajza nga Amerika Latine dhe planifikonin të krijonin familje e të kishin fëmijë, ndërsa vazhdonin të ishin pjesë e rrjetit të trafikut të drogës.

Këto të dhëna janë pjesë e superdosjes hetimore të SPAK, e ndërtuar mbi materiale të ardhura nga disa vende evropiane, kryesisht Anglia, Spanja dhe Belgjika. Dosjet e autoriteteve të huaja i dhanë ndihmën vendimtare prokurorëve shqiptarë për goditjen e grupeve kriminale të drejtuara nga Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai, të cilët akuzohen se trafikonin sasi të mëdha kokaine drejt Evropës dhe pastronin fitimet në Shqipëri, në bashkëpunim me Artur Shehun, Ilir Shtufin, Orges Birçajn dhe Orest Sotën.
Vetëm vendimi i Gjykatës së Posaçme për 20 masat e sigurisë përbëhet nga 855 faqe dhe dokumenton takime të drejtuesve të organizatës në Antverp të Belgjikës, Majorka të Spanjës, si edhe në ishullin Aruba, në Antilet Holandeze, i cilësuar nga hetuesit si “samiti” i bosëve të grupit.
Në dosje ka edhe një referim të veçantë për Artur Shehun, ku citohet një vendim i një gjykate belge për grupin e Alfredo Hamzait. Sipas autoriteteve belge, Shehu mbante një rol drejtues brenda organizatës kriminale.
Hetimi i SPAK nisi fillimisht si një procedim pasuror ndaj Denis Matoshit, i njohur si Eldi Dizdari, i cili në vitin 2020 u vu nën vëzhgim gjatë lëvizjeve për blerjen e një sipërfaqeje toke prej 500 metrash katrorë pranë stadiumit “Air Albania” në Tiranë.
Më 12 qershor, SPAK njoftoi ekzekutimin e 20 masave të sigurisë ndaj anëtarëve të dy grupeve kriminale, të cilat, sipas hetimeve, kishin krijuar kontroll të plotë mbi zinxhirin e trafikut të kokainës, nga furnizimi në Amerikën Latine deri te transporti drejt Evropës. Fitimet e aktivitetit kriminal dyshohet se pastroheshin kryesisht në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, ku në mënyrë të veçantë evidentohet ndërtuesi Ilir Shtufi.
