U arrestua nga AMP dhe Prokuroria e Dibrës, Gjykata liron policin
U arrestua nga AMP dhe Prokuroria e Dibrës, Gjykata liron policin
Një ditë pas arrestimit, është lënë i lirë efektivi i Policisë së Shtetit, M.A., 32 vjeç, Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër. Gjykata nuk gjeti kushte për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Efektivi ishte arrestuar një ditë më parë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Drejtoria Rajonale Kukës-Dibër. Operacioni u krye në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër dhe në prani të prokurorit të gatshëm.
M.A. akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Sipas AMP-së, nga hetimet paraprake rezultoi se efektivi dyshohet se nuk kishte kryer veprimet hetimore dhe procedurale lidhur me largimin e shtetasit Amir Muaremi. Ky i fundit ndodhej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ishte në proces ekstradimi drejt Republikës Federale të Gjermanisë.
Pas vlerësimit të çështjes, efektivi u la i lirë, pasi nuk u gjetën kushtet ligjore për mbajtjen e tij në paraburgim. Ndërkohë, hetimet për rastin vijojnë. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
