Atentati ndaj Thimjo Rubatit në Sarandë: Hetimet zbardhin pistat
Atentati ndaj Thimjo Rubatit në Sarandë: Hetimet zbardhin pistat, nga konfliktet e të birit te dyshimet për larje hesapesh
SARANDË – Atentati me armë zjarri ndaj Thimjo Rubatit në Sarandë vijon të mbetet pa autor, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin e personave të përfshirë dhe zbardhjen e motiveve të sulmit.
50-vjeçari u qëllua me 9 plumba në një atentat të organizuar, ndërsa në vendin e ngjarjes policia gjeti 9 gëzhoja pistolete të kalibrit 9 mm. Provat e mbledhura konfirmojnë se autorët kanë qëlluar disa herë në drejtim të Rubatit.
Autorët dyshohet se u larguan me motor dhe më pas me skaf
Sipas të dhënave paraprake nga hetimi, dy personat e dyshuar për atentatin janë larguar menjëherë pas ngjarjes me motor, në drejtim të zonës së plazheve në lagjen “Baba Rexhepi”.
Hetuesit dyshojnë se pas largimit nga vendi i krimit, autorët mund të kenë përdorur një mjet lundrues, konkretisht një skaf, për t’u larguar nga zona e Sarandës.
Policia ka vijuar kontrollet në terren për gjetjen e motorit të përdorur në atentat, si dhe për sigurimin e provave të tjera që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Konflikti i djalit të Thimjo Rubatit, një pistë e verifikuar nga policia
Një nga pistat e hetimit pas atentatit ishte edhe një konflikt i ndodhur një natë më parë, ku djali i Thimjo Rubatit, Andrea Rubati, së bashku me dy persona të tjerë, dyshohet se u përfshi në një ngjarje dhune dhe kanosjeje ndaj oficerit të policisë Mihal Velço.
Megjithatë, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kjo pistë është përjashtuar për momentin nga hetimi për atentatin ndaj Thimjo Rubatit.
Sipas hetuesve, kjo ngjarje mund të jetë përdorur si një element për të devijuar vëmendjen nga autorët realë të sulmit.
Hetimet fokusohen te konfliktet e hershme dhe e shkuara e Rubatit
Aktualisht policia po heton disa pista, ku përfshihen konfliktet e mëparshme, dyshimet për larje hesapesh dhe e shkuara e Thimjo Rubatit.
50-vjeçari rezulton një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke, ndërsa hetuesit po analizojnë të gjitha konfliktet dhe lidhjet e tij të mëparshme që mund të kenë lidhje me atentatin.
Andrea Rubati, me precedentë penalë
Edhe Andrea Rubati, djali i të plagosurit, rezulton person me precedentë penalë.
Në qershor të vitit 2022, ai u arrestua pasi u kap duke drejtuar një automjet që rezultonte i vjedhur në Itali.
Ndërkohë, sipas burimeve policore, në qershor të këtij viti dyshohet se Andrea Rubati i është larguar një postblloku të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH). Aktualisht ai kërkohet nga policia pas akuzave për kanosje dhe dhunim ndaj oficerit të policisë Mihal Velço.
Hetimet për atentatin ndaj Thimjo Rubatit në Sarandë vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë çdo pistë për të zbardhur autorët dhe motivin e sulmit.
