Aludimet për zjarrin në Llaman/ Bega-07: Distancohemi dhe inkurajojmë autoritetet të identifikojnë përgjegjësit
Kompania Bega 07 i ka cilësuar si keqinformuese lajmet që e lidhin atë me zjarrin në Llaman. Përmes një reagimi zyrtar, kjo kompani thotë se pretendimet e pavazuara të disa mediave, po cënojnë integritetin e saj.
“Pretendimet e publikuara, të cilat e lidhin shoqërinë tonë me ngjarjen në fjalë janë të pabazuara dhe nuk mbështeten në asnjë fakt. Aludimet se pas zjarrit qëndron Bega-07 shpk janë jo vetëm një e pavërtetë absolute, por amplifikimi i tyre na bën të besojmë se kemi të bëjmë me një mekanizëm keqinformues, që synon cënimin e integritetit të punës tonë,” tha kompania përmes një deklarate zyrtare.
Sipas saj, shkaku i zjarrit dhe autorësia e tij mbeten objekt i verifikimit nga autoritetet kompetente të ligjit.
“Deri në përfundimin e këtyre verifikimeve, çdo përpjekje për të përcaktuar përgjegjësi apo për të fajësuar një subjekt të caktuar është tendencioze, e pambështetur në fakte dhe e papërgjegjshme,” tha kompania.
Madje Bega 07 kujton se në afërsi të zonës ku ra zjarri ajo ushtron një aktivitet, i cili u rrezikua nga përhapja e flakës.
“Pikërisht për këtë arsye është e pakuptimtë të pretendohet se kompania jonë do të kishte interes të shkaktonte një zjarr në kulmin e sezonit turistik, duke rrezikuar mjedisin ku ushtron aktivitetin e saj, sigurinë e klientëve dhe punonjësve si dhe asetet dhe investimet e krijuara ndër vite,” shton Bega 07 në reagimin e saj duke inkurajuar autoritetet e ligjit që të nxjerrin përpara përgjegjësisë përgjegjësit për këtë ngjarje.
