Tue, Jul 21, 2026

Policia bie në gjurmët e një skeme pastrimi parash me veshje luksoze? Kush fshihet pas Zabo Garden, Brandville, Daka & Privé

Policia bie në gjurmët e një skeme pastrimi parash me veshje luksoze? Kush fshihet pas Zabo Garden, Brandville, Daka & Privé
  • PublishedJuly 20, 2026

Policia bie në gjurmët e një skeme pastrimi parash me veshje luksoze? Kush fshihet pas Zabo Garden, Brandville, Daka & Privé

Nën petkun e një biznesi estetik dhe të kuruar, me marka të njohura ndërkombëtare, ambiente luksoze dhe klientelë të përzgjedhur, Policia e Tiranës ka ndërhyrë për herë të parë në një segment tregu që deri më tani kishte mbetur pothuajse i paprekur: tregun e veshjeve dhe aksesorëve të luksit.

REPLIKË ka mësuar se subjektet e proceduara në Prokurori nga Policia, tashmë zyrtarisht nën hetim janë: Zabo Garden, Brandville, Daka Brand, Prive, Monarch Luxury Boutique, Senso Unico, Beleri Shpk dhe Datja&Co.

Nëse nis të kërkosh në rrjetet sociale për objektin e veprimtarisë së këtyre dyqaneve, çdo gjë duket e rregullt. Por sapo nis të kërkosh zyrtarisht në regjistrin shqiptar të biznesit, (QKB), disa gjëra nuk shkojnë. Shumë pak nga këto biznese rezultojnë të regjistruara me emrat e tyre tregtarë në Shqipëri.

Prive Brands dhe Zabo Garden nën lupën e Policisë, 9 administratorë procedohen për kontrabandë

Zyrtarisht, këto biznese po hetohen me indicien që tregtojnë produkte të markave luksoze, të kontrabanduara, pa dokumentacion shoqërues që provon origjinën dhe zhdoganimin.

Por burime i thanë REPLIKË se verifikimet kanë shkuar më tej. Në sitë nuk është vetëm aktiviteti tregtar, por edhe te mënyra e financimit të disa subjekteve, qarkullimi i parave, pronësia reale dhe lidhjet e mundshme mes kompanive dhe individëve që qëndrojnë pas tyre.

4 prej tyre, Zabo Garden, Brandille, Prive dhe Monarch Luxury Boutique dyshohet se kanë një fluks jo normal tregtar dhe hetimi pritet të zbulojë nëse bëhet fjalë për aktivitet normal tregtar apo për një mekanizëm të përdorur për qarkullimin dhe legalizimin e të ardhurave me origjinë të dyshimtë.

Si hyjnë mallrat e luksit në Shqipëri?

Burime i thanë REPLIKË se policia dyshon se këto 8 subjekte i kalojnë produktet e luksit përmes Aeroportit të Rinasit, përmes “personal shopper”, një term i kthyer në trend vitet e fundit, që bashkon blerësin personal me të gjithë ata që nuk udhëtojnë dot për të marrë produktet e tyre.

Personal shopper-i është personi që sjell mallrat e luksit deri në dyqan. Përmes korruptimit të oficerëve të kontrollit në pikën kufitare, ai arrin të kalojë mallrat e blera jashtë për dyqanet përkatëse. “Rrugë të tilla bëhen çdo javë”-tha një burim policor për REPLIKË.

Këto produkte më pas futen në dyqane për rishitje të paautorizuar nga brandi ndërkombëtar me një vlerë disa herë më të lartë. Por a shiten vërtetë?

“Jo gjithmonë. Në disa raste mjafton që pronarët realë të këtyre dyqaneve të arrijnë të presin fatura që të krijojnë perceptimin se kanë të ardhura solide për justifikimin e pasurive të tjera që kanë”-shtoi burimi.

Kush janë 8 administratorët e proceduar nga Policia?

Kamela Gjinollari – Daka

Julian Beleri – Beleri

Alfred Datja – Senso Unici Albania

Bledar Datja – Datja & Co

Gjergji Hysi – Prive 2019

Nerida Rama – Monarch Butik

Ajris Leka – Zaboo

Sonja Sadiku, Eni Zizollari, Daniel Volaj – Brandville.

Nëse dyshimet e ngritura provohen, kjo dosje pritet të shndërrohet në një nga hetimet më domethënëse të viteve të fundit në tregun e mallrave të luksit në Shqipëri. Për herë të parë, nën lupën e organeve ligjzbatuese po kalon një sektor që prej vitesh ka operuar larg vëmendjes publike, pavarësisht qarkullimit të konsiderueshëm financiar që gjeneron.