Thu, Jul 23, 2026

Shoferi egjiptian i pompës së betonit të Alba Beton nuk kishte as patentë dhe as “letra” shqiptare

Shoferi egjiptian i pompës së betonit të Alba Beton nuk kishte as patentë dhe as “letra” shqiptare
  • PublishedJuly 24, 2026

Shoferi egjiptian i pompës së betonit të Alba Beton nuk kishte as patentë dhe as “letra” shqiptare

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka sqaruar se shoferi egjiptian i pompës së betonit të kompanisë Alba Beton, e përfshirë në aksidentin tragjik të një dite më parë në rrethrrotullimin e TEG-ut, nuk ishte pajisur me leje drejtimi shqiptare dhe as me Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP) të lëshuar nga ky institucion.

Një ditë më parë, kamioni pompë betoni humbi kontrollin dhe u përplas në rrethrrotullimin e TEG-ut, duke shkaktuar vdekjen e dy shtetasve egjiptianë dhe plagosjen e një personi tjetër.

Bilanci i viktimave mund të kishte qenë edhe më i rëndë, pasi mjeti përplasi disa automjete gjatë lëvizjes.

Sipas DPSHTRR-së, verifikimet në regjistrat elektronikë dhe bazat zyrtare të të dhënave tregojnë se shtetasit egjiptianë Mohamed Lotf dhe Mohamed Ali nuk janë pajisur nga ky institucion me leje drejtimi shqiptare.

Dy pista hetimi për aksidentin tragjik në Tiranë

Po ashtu, ata nuk kanë qenë të pajisur me Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP) për profilin “Automakinist”, dokument i kërkuar për drejtimin e automjeteve për përdorim të veçantë, ku përfshihen edhe autobetonierët.

Institucioni sqaron se shtetasit e huaj mund të drejtojnë mjete në Shqipëri me leje drejtimi të vlefshme të lëshuara nga shteti i tyre, për periudhën e parashikuar në Kodin Rrugor, ndaj fakti që një shtetas i huaj drejton një mjet në vend nuk do të thotë automatikisht se ai është pajisur me patentë shqiptare.

DPSHTRR thekson gjithashtu se Shqipëria nuk ka marrëveshje me Egjiptin për njohjen dhe konvertimin e lejeve të drejtimit, duke i cilësuar të pavërteta pretendimet se dy shtetasit ishin pajisur nga DPSHTRR me patentë shqiptare ose me DAP “Automakinist”.

Ndërkohë, hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë nga organet kompetente.