Skandal 12 milionësh/ ARRSH shpalli fituese kompaninë me letra false
Tenderi 50 milionë euro për mirëmbajtjen e akseve rrugore kombëtare është është shndërruar në një skandal me pikëpyetje të mëdha korruptive, teksa Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fitues në një nga lotet e tij, një kompani që dyshohet se ka dorëzuar letra false.
Kapitali publikon dokumentat ekskluzive, që hedhin hije të forta dyshimi me integritetin e një prej tenderave më të mëdhenj të buxhetit të shtetit. Një skandal i ngjashëm me aferën e unazës, ku po ARRSH shpalli fituese kompaninë që kishte falsifikuar firmën e sekretarit të shtetit të Delawarit në SHBA. Këtë herë nuk janë falsifikuar firma, por dokumentat e kritereve të kualifikimit.
Tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare të Shqipërisë gjatë 4 viteve të ardhshme ka një fond limit prej 47.5 milionë eurosh. Procedura tenderuese është e ndarë në katër lote të ndryshme, që i korrenspondojnë 4 rajoneve të Shqipërisë dhe është e modeluar me dy faza.
Faza e parë është e ashtuquajtura short listing, ku ARRSH vlerëson kompanitë që plotësojnë kriteret dhe dokumentacionin e kërkuar. Ato që vlerësohen se i përmbushin kriteret më pas kalojnë në fazën e dytë, ku garojnë me ofertat financiare.
ARRSH ka zhvilluar ndërkohë fazën e parë duke kualifikuar nga vetëm një ofertë për secilin lot. Kjo do të thotë se kompanitë e kualifikuara nuk do të kenë konkurrencë financiare në tender, por do të ofrojnë të qeta pa patur frikë se dikush tjetër mund të ofrojë një çmim më të ulët.
Loti B, letra false
Ky në foton më poshtë është vlerësimi i ARRSH për tenderin e kontratës B ose loti 2. Ky lot, i cili ka një fond limit prej 1.1 miliardë lekësh ose rreth 12 milionë euro, përfshin mirëmbajtjen e 294.1 kilometrave akse rrugore në rajonin qendror dhe verilindor të Shqipërisë.![]()
Ndër segmentet kryesore janë lidhjet Tiranë–Rinas–Durrës, Thumanë–Milot, si dhe rrugët drejt Bulqizës dhe Peshkopisë. Siç duket nga vlerësimi, ARRSH ka kualifikuar për këtë lot vetëm kompaninë Bami shpk, e cila tashmë do të garojë me veten financiarisht. Por kjo nuk është e gjitha.
Sipas dokumentave të tenderit, kompania fituese duhet të deklaronte në dispozicion 11 borëpastruese për të përmbushur kontratën dhe ky ishte një kriter i detyrueshëm mospërmbushja e të cilit çonte direkt në skualifikim.
Këto në foton më poshtë janë borëpastrueset e deklaruara nga kompania Bami shpk para komisionit të tenderit.

Njëra prej tyre është borëpastruesja me targë AA981TJ dhe me numrin përkatës të shasisë. Këtë borëpastruese kompania deklaron se e ka siguruar përmes një kontrate qiraje. Por borëpastruesja figuron e çregjistruar.

Borepastruesja e deklaruar figuron e cregjistruar
Siç duket qartë nga dokumenti zyrtar i Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, borëpastruesja me targë AA981TJ figuron e çregjistruar që tetor të vitit 2024.
Por ky nuk është dokumenti i vetëm i dyshimtë. Tre borëpastruese të tjera, të cilat kompania deklaron se i ka siguruar në Kosovë përmes kontratave të qirasë po ashtu rezultojnë se u ka mbaruar regjistrimi që në maj të këtij viti.


Dy borepastrueseve nga Kosova u ka mbaruar regjistrimi ne Maj
Ndërsa një tjetër mjet i deklaruar si borëpastruese rezulton në fakt kamionçinë. Bëhet fjalë për mjetin me targë AA543RU.

Mjeti i deklaruar si borepastrues rezulton kamioncine
Ndonëse është deklaruar si borëpastrues me firmën e administratorit Gëzim Marku, mjeti figuron në fakt një kamionçinë Mercedez sprinter, siç tregojnë dokumentat nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor.
Këto dokumenta janë lehtësisht të verifikueshme për ARRSH-në. Por Komisioni i Tenderit ose nuk ka dashur t’i verifikojë siç e detyron ligji ose ka mbyllur sytë qëllimisht, çka përbën një vepër të rëndë në një garë kaq të rëndësishme.
I gjithë tenderi 47.5 milionë euro i mirëmbajtjes është i kompromentuar dhe me dyshime të forta për korrupsion, për sa kohë në çdo lot, ARRSH kualifikoi nga vetëm një kompani.
Tashmë është detyrë e prokurorisë të verifikojë vërtetësinë e dokumentave dhe vendimarrjen e ARRSH-së për të parandaluar abuzimin e miliona eurove para të qytetarëve.
