Gazetarët nën presion, përkeqësohet liria e medias gjatë protestave
hjetë organizata ndërkombëtare për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve kanë shprehur shqetësim për përkeqësimin e gjendjes së lirisë së medias dhe hapësirës qytetare në Shqipëri gjatë dy muajve të fundit, që nga nisja e protestave.
Në një deklaratë të përbashkët, organizatat thonë se gazetarët janë përballur me pengim, sulme dhe ndërhyrje policore gjatë raportimit në terren. Sipas tyre, përdorimi i ujit me presion dhe gazit lotsjellës gjatë protestave ka ngritur pikëpyetje për sigurinë dhe mbrojtjen e punonjësve të medias.
“Pesëmbëdhjetë nga 27 rastet e kërcënimeve dhe sulmeve të regjistruara nga Rrjeti SafeJournalists në vitin 2026 kanë ndodhur vetëm gjatë muajve qershor dhe korrik”, thuhet në deklaratë.
Organizatat kërkojnë që çdo akt dhune, kërcënimi apo pengimi ndaj gazetarëve të hetohet, pavarësisht autorit, dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
“Gazetarët dhe punonjësit e medias duhet të jenë në gjendje të raportojnë për tubimet publike, operacionet policore dhe çështje të tjera me interes publik në mënyrë të sigurt dhe pa frikësim, pavarësisht medias ku punojnë, statusit të punësimit ose pozicionit editorial që u atribuohet”, theksohet në deklaratën e përbashkët.
Një pjesë e deklaratës i kushtohet edhe retorikës së përdorur nga zyrtarët publikë dhe aktorët mediatikë. Organizatat u bëjnë thirrje atyre të shmangin identifikimin publik dhe etiketimin pa prova të gazetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve. Sipas tyre, një gjuhë e tillë nxit ngacmimet dhe dekurajon pjesëmarrjen në debatin publik.
Ato paralajmërojnë gjithashtu se episode të izoluara nuk duhet të përdoren për të kufizuar raportimin mediatik dhe lirinë e tubimit apo për të delegjitimuar lëvizjet qytetare.
Organizatat u kërkojnë autoriteteve shqiptare të garantojnë që gazetarët dhe punonjësit e medias të mund të punojnë lirshëm dhe në siguri. Në të njëjtën kohë, qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe mbrojtësve të mjedisit duhet t’u garantohet ushtrimi i lirisë së shprehjes dhe së drejtës së tubimit paqësor, pa kërcënime apo frikësim.
Sipas deklaratës, menaxhimi policor i protestave duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare të ligjshmërisë, ndërsa Protokolli i Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve duhet të zbatohet plotësisht.
Organizatat bëjnë thirrje për hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe transparent të çdo rasti të raportuar të dhunës, kërcënimit apo pengimit, pavarësisht nëse autorët e dyshuar janë punonjës policie, protestues apo zyrtarë publikë.
Ato kërkojnë gjithashtu që autoritetet të bëjnë dallimin ndërmjet pjesëmarrjes paqësore në protesta dhe veprimeve të paligjshme individuale, duke u përmbajtur nga etiketimet politike dhe akuzat e pabazuara ndaj gazetarëve, mediave të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile.
Në deklaratë i bëhet thirrje Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, OSBE-së dhe misioneve diplomatike në Tiranë që t’i ngrenë këto shqetësime drejtpërdrejt me autoritetet shqiptare. Organizatave ndërkombëtare u kërkohet gjithashtu të monitorojnë ndikimin e këtyre zhvillimeve mbi lirinë e medias, lirinë e shprehjes dhe tubimin paqësor, si dhe t’i pasqyrojnë ato në vlerësimet për shtetin e së drejtës dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Deklarata është nënshkruar nga Balkan Free Media Initiative (BFMI), European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF), European Federation of Journalists (EFJ), Free Press Unlimited (FPU), International Federation of Journalists (IFJ), Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT), Reporters Without Borders (RSF), Reporting Diversity Network (RDN), SafeJournalists Network (SJN) dhe South East Europe Media Organisation (SEEMO).
