Fri, Jul 31, 2026

Liga e Konferencës/ Mbrëmje emocionesh të forta, Shkëndija realizon përmbysjen spektakolare, eleminohen Malisheva dhe Ballkani

Liga e Konferencës/ Mbrëmje emocionesh të forta, Shkëndija realizon përmbysjen spektakolare, eleminohen Malisheva dhe Ballkani
  • PublishedJuly 31, 2026

Mbrëmje me emocione të forta për skuadrat shqiptare dhe ato të rajonit në turin e dytë të Ligës së Konferencës.

Shkëndija e Tetovës vazhdon rrugëtimin europian, pasi siguroi kualifikimin në raundin e tretë falë një fitoreje spektakolare 3-1 ndaj Bravos së Sllovenisë. Miqtë kaluan të parët në avantazh me Stankoviç në minutën e 17-të, por Shkëndija reagoi shpejt dhe riktheu ekuilibrat falë autogolit të Jovanit në minutën e 36-të. Në pjesën e dytë erdhi përmbysja e madhe, me Kryeziun që shënoi golin e dytë në minutën e 50-të, ndërsa Gjorgjievski vulosi kualifikimin me golin e realizuar në minutën e 88-të. Pas humbjes 2-1 në takimin e parë, skuadra maqedonase përmbysi gjithçka dhe avancoi më tej me rezultatin e përgjithshëm 4-3.

Ndryshe shkuan gjërat për Malishevën, që i dha fund aventurës europiane. Skuadra kosovare nuk arriti të ruante avantazhin e krijuar në ndeshjen e parë, ku kishte fituar 2-0, duke u mposhtur rëndë 4-1 në transfertë nga Hibernian. Një eliminim i hidhur për ekipin e drejtuar nga Brdariç, që mbyll kështu rrugëtimin në Ligën e Konferencës, pasi më herët kishte eliminuar Vllazninë në turin e parë.

Fund dramatik edhe për Ballkanin, që u eliminua pas goditjeve të penalltive nga Bohemians. Ndeshja ishte një spektakël i vërtetë emocionesh. Vendasit kaluan në avantazh që në minutën e 10-të, ndërsa irlandezët barazuan me penallti në të 20-ën. Në pjesën e dytë Ballkani riktheu epërsinë me golin e minutës së 50-të dhe më pas Domgjoni realizoi edhe golin e tretë në të 58-ën, duke i afruar kosovarët me kualifikimin. Por kur gjithçka dukej e mbyllur, Bohemians shënoi në minutën e 88-të, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm 4-4 dhe duke e çuar sfidën fillimisht në shtesa e më pas te penalltitë. Aty fati nuk buzëqeshi për Ballkanin, me Bajram Jashanicën që gaboi goditjen e parë nga pika e bardhë. Një skenar i përsëritur për skuadrën kosovare, e cila, njësoj si sezonin e kaluar, i jep lamtumirën Europës pas ruletës së penalltive.