SPAK ngre akuza të reja ndaj Belinda Ballukut
Të rinj dhe aktivistë u mblodhën paraditen e së premtes para godinës së SPAK-ut me flamingo dhe pankarta në duar, në shenjë proteste ndaj ish-numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku, e cila ishte thirrur të premten për t’u paraqitur para prokurorëve.
Dhjetra punonjës të Policisë së Shtetit ndërhynë duke i larguar aktivistët nga trotuari që gjendet pranë oborrit të SPAK. Pasi u zhvendosën rreth 100 metra më larg, aktivistët qëndruan për disa orë të rrethuar nga efektivët e policisë.
Balluku mbërriti rreth orës 13:50 në SPAK dhe qëndroi aty për gati gjysmë ore. E pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera lidhur me tunelin e Llogarasë, Balluku po hetohet edhe për disa tendera të tjerë, përfshirë ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Sipas SPAK, ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku është thirrur për t’u njohur me akuzën që lidhet me disa procedura prokurimi të reja si dhe për t’u pyetur në lidhje me to. SPAK nuk bëri me dije se cilat janë procedurat e prokurimit për të cilat po hetohet së fundmi Balluku.
Balluku është nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera lidhur me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë në seksionin rrugor Orikum-Himarë dhe ka qenë nën hetim për të njëjtën vepër penale prej dhjetorit të vitit të kaluar, edhe për shtatë raste të procedurave të prokurimit të ndërtimit të Unazës së Jashtme të Tiranës. Konkretisht për tenderat “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”; “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”; “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”; “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Po ashtu, më datë 4 qershor, SPAK njoftoi se Balluku ishte marrë nën hetim për përfitimin e një vile me vlerë 145 mijë euro në Dhërmi nga shoqëria “Eurocol”, në këmbim të favorizimit të kësaj kompanie në një tender – pasuri që e kishte fshehur nëpërmjet një skeme të dyshuar pastrimi parash, që ka përfshirë edhe ish-futbollistin, Igli Tare.
Mazhoranca socialiste në Kuvend e rrëzoi në muajin mars një kërkesë të SPAK për lejimin e arrestimit të saj, ndërkohë që SPAK nuk i ka shoqëruar akuzat e reja me ndonjë kërkesë shtesë për imunitetin e saj.
