Sat, Aug 1, 2026

Nga tenderat e AKSHI te kështjella në Francë, SPAK në gjurmët e pasurisë së Beqirit

Nga tenderat e AKSHI te kështjella në Francë, SPAK në gjurmët e pasurisë së Beqirit
  • PublishedAugust 1, 2026
I akuzuari për shkelje të barazisë në tendera dhe krim të organizuar, Ermal Beqiri. Foto: Soft& Solution.

Rajoni i Oise në veri të Parisit është i njohur për trashëgiminë mbretërore, pyjet e shumta dhe kështjellat mesjetare – njëra prej të cilave, sipas SPAK, është blerë nga i shumëkërkuari Ermal Beqiri për 2.6 milionë euro.

Në Shqipëri, Beqiri ndodhej në kërkim ndërkombëtar prej dhjetorit të vitit të kaluar si njëri nga arkitektët e aferës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, ku përmes një grupi të strukturuar kriminal dyshohet se manipuloheshin tendera publikë me vlerë dhjetramilionë euro dhe eliminohej konkurrenca përmes rrëmbimit të stilit mafioz.

Si pronar i “Soft & Solution”, ai jo vetëm gëlltiti pjesën e luanit të tenderave publikë, por dyshohet se orkestroi rrjetin e kompanive fiktive dhe presionet ndaj nënkontraktorëve. Vetëm për vitin 2024, kompania e tij kryesore, “Soft & Solution”, raportoi një fitim të pashpërndarë prej mbi 1 miliard lekësh, rreth 10 milionë euro, dhe asete totale që kapin vlerën e rreth 2 miliardë lekëve.

Sipas një njoftimi të Prokurorisë së Posaçme, një pjesë e përfitimeve të paligjshme dyshohet se janë transferuar nga Beqiri në Francë, ku përveç kështjellës janë identifikuar llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente si dhe mjete motorike.

Beqiri u arrestua në Francë më 24 korrik, ndërsa po fluturonte me një avion të lehtë në një hapësirë ajrore të kufizuar mbi centralin bërthamor të Penly-t dhe u shoqërua nga forcat ajrore derisa u ul në aerodromin e Albertit në rajonin e Somme-s në veri të Francës.

Arrestimi duket aksidental, por Prokuroria e Posaçme deklaroi të shtunën se kishin informacion për vendodhjen e tij dhe po punonin së bashku me autoritetet franceze për gjetjen dhe kapjen e tij.

“Prokurorët e Posaçëm të SPAK kontaktuan Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI) në Tiranë për të kërkuar mbështetjen e autoriteteve franceze në gjetjen e shtetasit E. B, në kushtet kur nga informacioni i disponuar dyshohej se ky shtetas ndodhej në territorin e Republikës Franceze,” deklaroi SPAK, ndërsa shtoi se për këtë rast u vendos një bashkëpunim i ngushtë me Zyrën Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar në Francë.

Sipas SPAK, hetimet e mëtejshme të autoriteteve franceze identifikuan pasuritë e Beqirit në Francë, të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminale.

“Për këto asete si dhe për të tjera të cilat do të rezultojnë nga hetimet e mëtejshme, i është dërguar kërkesë për ndihmë juridike autoriteteve gjyqësore franceze me qëllim sekuestrimin e tyre,” thuhet në njoftimin e SPAK.

Hetimet financiare po zhvillohen paralelisht për të mundësuar sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale të identifikuara në territorin francez, në kuadër të mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar gjyqësor. Me kërkesë te Prokurorisë së Posaçme autoritetet franceze kanë kryer kontrollin personal si edhe të disa ambienteve në pronësi të Beqirit, duke sekuestruar sende që vlerësohen me interes për procedimin e tij penal në Shqipëri.

SPAK thotë gjithashtu se i ka dërguar tashmë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ekstradimin në Shqipëri të Beqirit. Për të njëjtën çështje ndodhet gjithashtu në kërkim prej 6 muajsh Ergys Agasi, një personazh kontrovers i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe zyrtarët e lartë shtetërorë.

Për më shumë se një dekadë, AKSHI menaxhoi një buxhet të stërmadh, ku vetëm në 19 procedura të hetuara nga SPAK u llogarit një fond limit prej 5.9 miliardë lekësh (rreth 59 milionë euro). Hetimi zbuloi se drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi i kishin lënë këto fonde në duart e grupit të lidhur me krimin e organizuar, duke paracaktuar fituesit dhe duke siguruar devijimin e dhjetëra milionë eurove drejt llogarive të biznesmenit të IT-së, Ermal Beqiri dhe biznesmenit Agasi.