Alarm në Tiranë/ Kapet 31-vjeçari, mbajti peng dhe ngacmoi seksualisht të miturin
Komisariati i Policisë Nr. 4 në Tiranë ka finalizuar një operacion duke bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit Julian Alla, 31 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Ngacmimi seksual” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Sipas policisë, ndalimi i tij u krye më 2 gusht, pas hetimeve të nisura nga një kallëzim i bërë më 24 korrik nga një i mitur 13-vjeçar. Ky i fundit, në praninë e prindit dhe psikologut, ka deklaruar se ishte ngacmuar seksualisht nga 31-vjeçari.
Nga veprimet hetimore, policia dyshon se i mituri është mbajtur në banesën e Julian Allës në rrugën “Bardhyl”, pa dëshirën e tij, gjatë natës së 23 korrikut.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme, ndërsa autoritetet vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
