SKANDALI me vdekjen e biznesmenit italian në Trita Hospital, çfarë po ndodh me hetimin nga Porukuroria e Tiranës?
TIRANË – Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj që prej nisjes së hetimeve për vdekjen e biznesmenit italian Massimo Ferro, por ende nuk ka një përgjigje përfundimtare se çfarë e shkaktoi vdekjen e 55-vjeçarit pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për humbje peshe.
Ferro ndërroi jetë më 22 dhjetor 2025, në QSUT, pasi fillimisht iu nënshtrua një operacioni në stomak në klinikën private Trita Hospital në Tiranë. Pas ngjarjes, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet, ndërsa çështja iu besua prokurorit Florian Boriçi.
Sipas të dhënave të bëra publike, organi i akuzës ka sekuestruar kartelat mjekësore dhe ka kryer veprime të tjera hetimore. Megjithatë, pika kyçe e hetimit duket se mbetet ende autopsia e Institutit të Mjekësisë Ligjore, e cila pritet të hedhë dritë mbi shkakun e vdekjes.
Mbi gjashtë muaj, ende pa një përgjigje!
Koha e kaluar ngre pikëpyetje të forta: çfarë ka zbuluar deri tani Prokuroria e Tiranës? Çfarë rezultatesh kanë dhënë veprimet hetimore? A janë marrë në pyetje të gjithë personat që kanë pasur rol në trajtimin e pacientit? Dhe, mbi të gjitha, pse ende nuk ka një konkluzion për rrethanat e vdekjes?
Familjarët e biznesmenit italian kanë kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe drejtësi. Ata kanë ngritur pretendimin se Ferro nuk iu nënshtrua analizave dhe kontrolleve të nevojshme përpara se të futej në sallën e operacionit.
Këto janë pretendime që tashmë janë pjesë e interesit të hetimit dhe që duhet të marrin përgjigje përmes provave dhe ekspertizave mjeko-ligjore.
Hetim edhe në Itali
Rasti nuk është vetëm një çështje shqiptare. Paralelisht, për vdekjen e 55-vjeçarit po zhvillohen verifikime edhe në Itali, ndërsa familjarët kanë angazhuar përfaqësues ligjorë për të ndjekur nga afër zbardhjen e shkaqeve të vdekjes.
Në Shqipëri, ndërkohë, pyetja mbetet e hapur: pas më shumë se gjashtë muajsh hetime, në çfarë faze ndodhet dosja e Massimo Ferros?
Nëse autopsia është ende elementi që pritet të përcaktojë shkakun e vdekjes, mbetet për t’u parë se kur do të përfundojë ekspertiza dhe nëse Prokuroria e Tiranës do të dalë me një qëndrim konkret mbi përgjegjësitë e mundshme.
Një familje italiane pret përgjigje. Një hetim ka nisur prej muajsh. Por deri tani, pyetja kryesore mbetet pa përgjigje: çfarë ndodhi me Massimo Ferron në sallën e operacionit dhe kush mban përgjegjësi për vdekjen e tij? /infonews.al
