Autobusi i Green Line vrau të moshuarin te vijat e bardha
Autobusi i Green Line vrau të moshuarin te vijat e bardha
Nga Boldnews.al
Mëngjesin e 4 gushtit 2026, rreth orës 5.20, një 78-vjeçar, i identifikuar si Jorgji D., po lëvizte në këmbë nga rruga “Muhedin Llagami” në Tiranë, diku në kryqësimin e ish-Parkut të Autobusëve, për të kaluar në anën tjetër të rrugës. I moshuari sheh që në rrugë nuk kishte lëvizje automjetesh.
Megjithatë, për të ruajtur sigurinë maksimale për veten, ai vendos të kalojë tek vizat e bardha. Për disa sekonda, çdo gjë shkoi në rregull. Por, në momentin që po arrinte në trotuarin e mesit të rrugës, ai goditet papritmas nga një autobus.
78-vjeçari merr dëmtime të shumta trupore, rrëzohet në tokë dhe nuk ia del të mbërrijë i gjallë në spital. Ai u deklarua i vdekur në Qendrën Spitalore të Traumës, ndërkohë që Policia Rrugore arrestoi në flagrancë shoferin e autobusit, Agim M., rreth 62 vjeç.

Ai deklaroi se është shofer i autobusit të kompanisë “Green Line”, në pronësi të Nadir Çaushollit dhe punon në linjë “Astir-Qendër.
“Boldnews.al” ka siguruar të dhënat për këtë aksident tragjik në një vendim për masë sigurie ‘arrest me burg”, të vendosur ndaj shoferit nga Gjykata e Tiranës në 7 gusht 2026. Ndërkohë, për ngjarjen e rëndë, Policia e Shtetit nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar.
Aksidenti te vijat e bardha
Në raportin e Policisë Rrugore të Tiranës për aksidentin me pasojë vdekjen e të moshuarit Jorgji D., thuhet: “Në datën 04.08.2026, rreth orës 05:20, në rrugën e Kavajës, në degëzimin me rrugën “Muhedin Llagami”, përballë dyqanit “Joena Cosmetics”, shtetasi Agim M…, duke qenë në drejtim të autobusit të markës Solaris, me targë AB768XZ, duke qarkulluar në drejtim Kombinat – Tiranë, është përfshirë në aksident, duke goditur shtetasin Jorgji D, i cili po kalonte në këmbë nga trotuari për tek trafikndarësim, në vija të bardha të kalimit të këmbësorëve”.

Më tej, oficerët e Policisë Gjyqësore shkruajnë në proces-verbalin e rastit: “Si pasojë e këtij aksidenti është dëmtuar rëndë viktima Jorgji Davidi, të cilin e kanë dërguar në Spital në QSUT, dhe pas një ore ka ndërruar jetë”.
Raporti në vendin e aksidentit thekson gjithashtu: “Në vendin e ngjarjes ka prani të dukshme qartë të vijave të bardha të këmbësorëve, semafori është jofunksional (me dritë pulsante), rruga është e asfaltuar, e vijëzuar, e ndarë në tre korsi dhe një korsi tjetër për biçikleta në anën jugore…”.
Ndërkohë, shoferit i është bërë testi i alkolit, nga ku ka rezultuar i pastër (përqindja 0.00 mg/l).
Dëshmia e shoferit
Pas arrestimit, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë marrë në pyetje shoferin Agim M., në cilësinë e personit nën hetim, i cili ka dhënë versionin e tij të ngjarjes.

“Jam i punësuar si shofer në kompaninë “Green Line”, dhe kam në përdorim autobisin e markës “Solaris” me targa AB 768 XZ, me të cilin punoj në linjën Astir-qendër. Sot rreth orës 05.00′ shkova tek praku i autobusëve të firmës në Prush, mora mjetin dhe u nisa për në qendër. Në autobus isha vetëm”, ka deklaruar ai fillimisht.
Më tej, shoferi i arrestuar thotë: “Po qarkulloja normalisht në rrugën e Kavajës me drejtim lëvizje nga ura teknologjike drejt kryqëzimit të 21 Dhjetorit. Kur isha tek kryqëzimi i ish parkut, semafori ishte jofunksional, pasi ishte pulsant. Isha në korsinë e majtë dhe vazhdova lëvizjen duke u futur në kryqëzim, ndërkohë që kryqëzimi ishte bosh fare. Papritur me del një këmbësor nga ana e djathtë e imja për tek trafikndarësi, i cili po kalonte mbi vijat e bardha të këmbësorëve. Unë frenova, por këmbësori u përplas me pjesën e përparme të autobusit dhe ra në tokë”.
Pas momentit të përplasjes, shoferi 62-vjeçar thotë se “zbrita dhe shkova tek i aksidentuari, por shumë shpejt erdhi polici i qarkullimit, i cili njoftoi ambulancën që erdhi në vendngjarje dhe e dërgoi të dëmtuarin për në spital. Ndjehem i pikëlluar për ngjarjen që ndodhi, dhe ngushëlloj familjarët për fatkeqësinë”.
Shoferi në burg
Në 7 gusht 2026, Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për shoferin e autobusit, Agim M., si person i dyshuar për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
Mbrojtësja ligjore e të arrestuarit, pasi pranoi faktet e paraqitura nga prokuroria, kërkoi që ndaj klientit të saj të caktohej një masë më e lehtë sigurie. Avokatja deklaroi se shoferi nuk ka precedentë penalë, është i vetmi që punon në familjen e tij, është penduar thellë dhe se kanë nisur tentativat për të normalizuar marrëdhëniet me familjen e viktimës.
Pavarësisht këtyre argumentave, gjyqtari i çështjes, Kujtim Vraniçi, caktoi masën e sigurimit “arrest me burg”, nisur nga pasoja e rëndë e aksidentit.
