Debutuesit kuqezi ndër vite, si ndryshon mosha e Kombëtares. Mitaj dhe Çepele për rekord
Vitet e fundit Shqipëria nuk ka sjellë shumë emra të rinj në Kombëtare, teksa grupi tashmë duket i konsoliduar dhe hapësirat për prurje të reja janë bërë gjithnjë e më të pakta.
Megjithatë, analiza e debutuesve tregon se pas Europianit të vitit 2016 mosha mesatare e futbollistëve që kanë veshur për herë të parë fanellën kuqezi është ulur ndjeshëm. Nga Ramen Çepele dhe Mario Mitaj, të cilët hynë në histori si ndër më të rinjtë, te lojtarët që kanë pritur deri në fundin e të 20-ave për të marrë shansin e parë, panorama tregon një Kombëtare që ka ndryshuar mënyrën e afrimit të futbollistëve, por që ende përballet me pyetjen se sa prej këtyre risive arrijnë të kthehen në alternativa të qëndrueshme.
PERIUDHA PAS EUROPIANIT- Nëse shikon listën e Kombëtares shqiptare në vitet e fundit, përshtypja e parë është ajo e një grupi që tashmë është konsoliduar. Pas ndryshimeve të mëdha që solli periudha pas EURO 2016, kur një pjesë e rëndësishme e brezit që shkoi në Francë nisi gradualisht të largohej nga skena, vitet e fundit nuk kanë sjellë të njëjtin ritëm prurjesh. Emrat e rinj nuk janë të shumtë dhe, në shumë raste, trajnerët janë mbështetur te futbollistë që tashmë kanë krijuar një eksperiencë të konsiderueshme me fanellën kuqezi, gjë e cila ka sjellë edhe polemika për listat e publikuara ndër vite, sa herë që kuqezinjtë kishin ndeshje. Kjo situatë ngre natyrshëm një pyetje për të ardhmen e Kombëtares, nëse po i jepet hapësira e mjaftueshme brezit të ri apo Shqipëria po e shtyn gjithnjë e më shumë momentin e rinovimit. Përgjigjja bëhet më interesante kur analiza nuk ndalet vetëm te numri i debutuesve, por shkon te mosha në të cilën ata kanë marrë për herë të parë ftesën për ekipin A. Nga EURO 2016 e deri më sot, në listën e marrë nga “eufusball”, rezultojnë 77 futbollistë që kanë debutuar me Kombëtaren. Mosha mesatare e tyre është rreth 23 vjeç e gjashtë muaj, ndërsa te lojtarët që debutuan para kësaj periudhe mesatarja shkon në rreth 25 vjeç e katër muaj. Diferenca prej afro dy vitesh tregon se, pavarësisht mungesës së prurjeve të shumta në vitet e fundit, Shqipëria në dekadën pas Europianit të Francës ka qenë më e gatshme t’u japë shansin futbollistëve në moshë më të re. Ky është një detaji që ndryshon disi perceptimin për procesin e rinovimit. Në pamje të parë, Kombëtarja mund të duket se është bërë më e mbyllur dhe se emrat e rinj po shfaqen gjithnjë e më rrallë, por kur merret në konsideratë mosha e debutimit, statistikat tregojnë se dera për talentet është hapur më herët sesa në periudhat e mëparshme.
DEBUTUESIT MË TË RINJ- Shembulli më i fortë i kësaj tendence është padyshim ai i Ramën Çepeles dhe Mario Mitajt. Të dy futbollistët morën shansin me Kombëtaren në moshën 17-vjeçare dhe u pozicionuan menjëherë në majën e klasifikimit historik të debutuesve më të rinj. Çepele debutoi në moshën 17 vjeç, 7 muaj e 21 ditë, ndërsa Mitaj vetëm katër ditë më vonë, në moshën 17 vjeç, 7 muaj e 25 ditë. Në vendin e tretë të klasifikimit historik është Qemal Vogli, i cili kishte debutuar në moshën 17 vjeç, 7 muaj e 26 ditë. Pas tyre renditen Iljaz Çeço dhe Blendi Nallbani. Fakti që dy nga tre debutuesit më të rinj në historinë e Kombëtares i përkasin periudhës së fundit është një tregues i fortë për ndryshimin e qasjes ndaj talenteve. Nëse në brezat e mëparshëm një lojtar i ri shpesh duhej të kalonte disa etapa përpara se të merrte shansin në ekipin A, sot një futbollist mund të afrohet shumë më shpejt, nëse niveli i tij bind stafin teknik. Çepele dhe Mitaj nuk janë rastet e vetme. Në këtë periudhë bëjnë pjesë edhe Armando Broja, i cili debutoi para se të mbushte 19 vjeç, Marash Kumbulla, që mori shansin e parë në moshën 19-vjeçare, si dhe një numër futbollistësh të tjerë që janë afruar në fillimin e të 20-ave. Kjo tregon se në dekadën e fundit Shqipëria ka pasur një tendencë reale për të testuar lojtarë më të rinj. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Kombëtarja është kthyer në një ekip që mbështetet vetëm te talentet.
DEBUTUESIT MË TË VJETËR- Në anën tjetër të klasifikimit gjenden futbollistë që kanë pritur shumë gjatë për të marrë mundësinë e parë me fanellën kuqezi. Historia e Shqipërisë ka edhe raste ekstreme nga dekadat e para, ku disa lojtarë kanë debutuar mbi moshën 40-vjeçare, ndërsa në epokën moderne një prej shembujve më të veçantë është Orges Shehi, i cili debutoi në moshën 33 vjeç, 1 muaj e 28 ditë. Edhe pas EURO 2016 ka pasur raste të debutimeve të vonshme. Klaus Gjasula, për shembull, e veshi për herë të parë fanellën e Kombëtares në moshën 29 vjeç, 8 muaj e 24 ditë. Në këtë zonë të klasifikimit gjenden edhe lojtarë të tjerë që kanë kaluar moshën 27 apo 28 vjeç përpara se të merrnin ftesën e parë. Këto raste tregojnë se nuk ekziston një formulë e vetme për të mbërritur te Kombëtarja. Një futbollist mund të konsiderohet i gatshëm në moshën 17 apo 18 vjeç, ndërsa një tjetër mund të ketë nevojë për një pjesë të madhe të karrierës për të arritur nivelin që kërkohet në ekipin përfaqësues. Në këtë pikë, edhe trajneri ka një rol të rëndësishëm. Kombëtarja nuk është një akademi ku qëllimi kryesor është zhvillimi i lojtarëve të rinj, pasi rezultati është gjithmonë kriteri mbi të cilin gjykohet puna e stafit teknik. Në një ndeshje eliminatore, veçanërisht ndaj një kundërshtari të fortë, një trajner mund të zgjedhë eksperiencën e një lojtari 27-vjeçar përpara potencialit të një 18-vjeçari, edhe nëse ky i fundit shihet si një investim për të ardhmen.
VAZHDIMËSIA NË KOMBËTARE- Në këtë analizë, megjithatë, duhet bërë një dallim i rëndësishëm. Fakti që pas EURO 2016 kanë debutuar 77 lojtarë nuk do të thotë se Shqipëria ka krijuar 77 alternativa të reja për të ardhmen apo edhe për periudhën kur kanë luajtur. Disa prej tyre kanë marrë vetëm një mundësi, të tjerë kanë pasur një numër të kufizuar paraqitjesh, ndërsa vetëm një pjesë kanë arritur të bëhen pjesë e rëndësishme e skuadrës. Kjo është ndoshta sfida më e madhe e futbollit shqiptar. Nuk mjafton që një lojtar të debutojë në moshën 18 apo 19 vjeç, por rëndësi ka nëse ai arrin të zhvillohet, të luajë rregullisht në klub dhe të kthehet në një alternativë të qëndrueshme për Kombëtaren. Në këtë aspekt, prurjet e viteve të fundit duhet të shihen jo vetëm si një listë debutuesish, por si një proces që kërkon vazhdimësi. Klubet dhe akademitë kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë, ndërsa Kombëtarja duhet të identifikojë sa më herët lojtarët që kanë potencialin për të përfaqësuar Shqipërinë për shumë vite.
10 Debutuesit më të rinj të Kombëtares
| # | Lojtari | Mosha në debutim | Debutimi |
| 1 | Ramën Çepele | 17 vjeç, 7 muaj, 21 ditë | 11 nëntor 2020 |
| 2 | Mario Mitaj | 17 vjeç, 7 muaj, 25 ditë | 31 mars 2021 |
| 3 | Qemal Vogli | 17 vjeç, 7 muaj, 26 ditë | 25 maj 1947 |
| 4 | Iljaz Çeço | 17 vjeç, 9 muaj, 8 ditë | 11 tetor 1964 |
| 5 | Blendi Nallbani | 17 vjeç, 10 muaj, 27 ditë | 26 prill 1989 |
| 6 | Kastriot Peqini | 17 vjeç, 11 muaj, 10 ditë | 29 janar 1992 |
| 7 | Kreshnik Çipi | 18 vjeç, 3 muaj, 14 ditë | 19 tetor 1980 |
| 8 | Bledar Kola | 18 vjeç, 4 muaj, 18 ditë | 19 dhjetor 1990 |
| 9 | Haxhi Ballgjini | 18 vjeç, 4 muaj, 19 ditë | 3 nëntor 1976 |
| 10 | Anesti Qendro | 18 vjeç, 5 muaj, 3 ditë | 26 maj 1992 |
10 Debutuesit më të vjetër të Kombëtares
| # | Lojtari | Mosha në debutim | Debutimi |
| 1 | Luan Seiti | 76 vjeç, 5 muaj, 4 ditë | 14 tetor 1981 |
| 2 | Mehmet Xhafa | 72 vjeç, 5 muaj, 21 ditë | 21 qershor 1972 |
| 3 | Millan Vaso | 68 vjeç, 5 muaj, 6 ditë | 10 tetor 1973 |
| 4 | Naim Allaj | 68 vjeç, 5 muaj, 6 ditë | 10 tetor 1973 |
| 5 | Bashkim Rudi | 60 vjeç, 6 muaj, 29 ditë | 24 nëntor 1965 |
| 6 | Enver Ibërshimi | 58 vjeç, 6 muaj, 8 ditë | 30 tetor 1963 |
| 7 | Fiqiri Duro | 58 vjeç, 1 muaj, 25 ditë | 16 qershor 1963 |
| 8 | Dhimitraq Gjyli | 53 vjeç, 0 muaj, 13 ditë | 1 maj 1958 |
| 9 | Abdulla Duma | 53 vjeç, 0 muaj, 13 ditë | 1 maj 1958 |
| 10 | Dhimiter Qoshja | 52 vjeç, 5 muaj, 4 ditë | 15 shtator 1957 |
