Lens befason PSG, i heq nga duart trofeun e Superkupës, pjesë e suksesit historik edhe…Ervin Skela (VIDEO)
E besoni apo jo, por PSG bie në trofeun e parë sezonal në Francë, lëshon Superkupën, pas një disfate përballë Lens në finale. Kjo humbje e papritur vjen pikërisht 4 ditë pasi bënë për vete një tjetër trofe, Superkupën e Evropës. Luis Enrique kishte lënë pushim disa lojtarë të rëndësishëm, futbollistë si Dembele, Neves, kapitenin Marquinhos, ndërsa Barcola as që ishte grumbulluar, detaje këto që i kushtuan jo pak, me Lens që i befasoi në një nga zbritjen e pakta në sulm, ku Thauvin i ndëshkoi në minutën e 32-të. Festa nuk zgjati shumë në radhët e Lens pasi 7 minuta më vonë mbetën me 10-të lojtarë.
Me fillimin e pjesës së dytë, Luis Enrique ndërhyri në formacion duke bërë 3 zëvendësime të menjëhershme, mes tyre hodhi në fushë Dembele, Nuno Mendez e Fabian Ruiz duke e spostuar totalisht Lens në gjysmëfushë. Vetëm në fraksionin e dytë tentuan 15 herë portën, goditën 4 herë kuadratin, ndërsa Dembele dhe pjesa tjetër e ekipit shpërdoruan raste pafund.
Në minutën e 87-të, edhe PSG mbeti me 10-të lojtarë pas daljes me karton të kuq të Nuno Mendez, ndërsa rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Lens që feston për këtë sukses të rëndësishëm, për herë të parë në histori dhe për më tepër në shtëpinë e tyre. Pjesë e këtij suksesi ishte edhe legjenda e ekipit përfaqësues, Ervin Skela, i cili iu bashkua ekipit francez këtë sezon si ndihmës trajner.
Luis Enrique nuk e bën dramë këtë humbje në finale, madje në sytë e tij ekipi luajti më mirë se sa e priste: “Zhvilluam një ndeshje të madhe, krijuan shumë raste, por nuk arritëm të shënonim. Futbolli kështu është, duhet t’i bëjmë komplimente rivalëve tanë”, u shpreh trajneri i PSG.
