Skenar i papritur, Asllanit i del emri larg Europës, topi i kalon Inter
Nga një premtim i madh, Kristjan Asllani është kthyer në një shqetësim të madh për Inter, me mesfushorin kuqezi që ka ngecur në Milano. Edhe këtë verë mungojë ofertat konkrete, ku pista e vetme deri në këtë pikë ka qenë Monza, por në mënyrë të papritur, mediat italiane bëjnë me dije se Al Jazira ka shfaqur interesim për Asllanin. Ekipi nga Emiratet e Bashkuara Arabe kërkon të përforcojë mesfushën dhe Asllani shihet si një opsion konkret dhe i rëndësishëm.
Inter është gati të dëgjojë çdo ofertë për Asllanin në këto ditë të fundit të merkatos. Dëshira e klubit zikaltër është të shesin përfundimisht Asllanin, kartonin e të cilit e vlerësojnë me 10-15 milionë euro. Pengesë në këtë pikë mund të kthehet vetë lojtari, pasi një transferim në Abu-Dhabi do ta largonte nga futbolli i rëndësishëm.

Dëshira e tij është të qëndrojë në Serie A, për këtë arsye palët pritet të marrin edhe pak më shumë kohë. E sigurt është se Asllani dhe Inter janë në garë me kohën pasi të dy palët kërkojnë një sistemim të ri në këto ditë të fundit të merkatos së verës.
