Wed, Aug 26, 2026

Dosja AKSHI, arrestohet në Durrës Ergys Agasi

Dosja AKSHI, arrestohet në Durrës Ergys Agasi
  • PublishedAugust 26, 2026
Ergys Agasi gjatë dëshmisë së tij në SPAK. Foto: LSA.

Ergys Agasi, i akuzuar se së bashku me Ermal Beqirajn krijuan një grup të strukturuar kriminal për manipulimin dhe zhvatjen e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), edhe përmes dhunës dhe pengmarrjes, u arrestua mbrëmjen e të mërkurës, më 26 gusht. Agasi, i cili kërkohej nga SPAK që prej dhjetorit të vitit të kaluar, u ndalua në zonën e quajtur “Plepat” në Durrës, së bashku me ish-punonjësin e policisë, Uljan Shpataraku. Ky i fundit ishte shpallur në kërkim para tre javësh pasi kërcënoi kamerierin dhe administratorin e një hoteli në Dhërmi.

Agasi ishte i fundit i arratisur prej të kërkuarve për dosjen e abuzimeve në AKSHI. Një burim nga Policia e Shtetit i tha BIRN se aksioni u koordinua nga SPAK.

Ndërkohë, Ermal Beqiraj u arrestua në Francë më 24 korrik, ndërsa po fluturonte me një avion të lehtë në një hapësirë ajrore të kufizuar mbi centralin bërthamor të Penly-t dhe u shoqërua nga forcat ajrore derisa u ul në aerodromin e Albertit në rajonin e Somme-s në veri të Francës.

Sipas SPAK, hetimet e mëtejshme të autoriteteve franceze identifikuan pasuritë e Beqirajt në Francë, të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminale. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Beqiraj dyshohet se transferoi drejt Francës një pjesë të fitimeve të paligjshme me të cilat bleu një kështjellë, dy apartamente, mjete motorike dhe mbi 2 milionë euro i depozitoi në llogari bankare.

Tre muaj më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të rrëzojë një pjesë të kërkimeve të SPAK për sekuestrimet e pasurive të të hetuarve për aferën e AKSHI-t dhe personave e shoqërive të lidhur me ta. Shkalla e Parë pranoi kërkesën e SPAK për sekuestrimin e pasurive me vlerë mbi 40 milionë euro, në kuadër të procedimit penal kundër ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe biznesmenëve Ergys Agasi e Ermal Beqiraj.

Për më shumë se një dekadë, AKSHI menaxhoi një buxhet të stërmadh, ku vetëm në 19 procedura të hetuara nga SPAK u llogarit një fond limit prej 5.9 miliardë lekësh (rreth 59 milionë euro). Hetimi zbuloi se drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi i kishin lënë këto fonde në duart e grupit të lidhur me krimin e organizuar, duke paracaktuar fituesit dhe duke siguruar devijimin e dhjetëra milionë eurove drejt llogarive të biznesmenit të IT-së, Ermal Beqiraj dhe biznesmenit Agasi.

Biznesmenët Ermal Beqiraj dhe Ergys Agasi akuzohen se, së bashku me ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe persona të tjerë, krijuan një skemë zhvatjeje të parave publike përmes dyfishimit të vlerës së tenderëve, paracaktimit të fituesve dhe devijimit të miliona eurove në llogaritë e një kompanie fiktive, ndërkohë që për “eliminimin” e rivalëve u përdorën anëtarë të krimit të organizuar. Po ashtu, akuzohen edhe për pastrim parash.