Fri, Aug 28, 2026

Gara për Prokurorin e Përgjithshëm fut në sherr anëtarët e KLP-së

Gara për Prokurorin e Përgjithshëm fut në sherr anëtarët e KLP-së
  • PublishedAugust 28, 2026
KLP gjatë votimit për kryetarin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta. Foto: LSA.

Shqyrtimi i një kërkese të depozituar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga kandidati për Prokuror të Përgjithshëm, Ylli Pjetërnikaj, i cili kërkon përjashtimin e anëtarit Vatë Staka nga procedurat e përzgjedhjes shkaktoi debate të ashpra dhe kërkesa të tjera për përjashtime nga vetë anëtarët e KLP-së.

Në mbledhjen plenare të së premtes u lexua pika e rendit të ditës që lidhej me kërkesën e Pjetërnikës për përjashtimin e Stakës, por ky i fundit kërkoi që anëtari Zeqir Hodo të përjashtohej nga procedura e shqyrtimit dhe vendimarrjes të kësaj kërkese. Nga sa u dëgjua prej diskutimeve gjatë mbledhjes, Staka parashtroi se Hodo kishte pasur komunikime me Pjetërnikën edhe pasi ai ishte larguar nga pozicioni i këshilltarit pranë KLP-së. Sipas Stakës, një draft i një rregulloreje të këshillit i ishte dërguar Hodos nga Pjetërnika përmes një email-i privat, kur ky i fundit nuk ishte më pjesë e komisionit për hartimin e rregullores.

Bazuar në këto rrethana, Staka kërkoi përjashtimin e Hodos nga procedura e shqyrtimit dhe vendimarrjes lidhur me kërkesën e depozituar nga Pjetërnika.

Anëtarja Ledina Riza soli në vëmendje se për një rast të ngjashëm ishte kërkuar përjashtimi të dy anëtarëve, si për të cilin kërkohej parashtrimi, edhe për atë që e kërkonte. Duke sjellë në vëmendje rëndësinë e procesit për përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të ri, ajo kërkoi ndër të tjera, që të vijohej sa më shpejt me dërgimin e kërkesave drejtuar ILDKPKI-së për verifikimin e kandidatëve. Ajo kërkoi që në këtë proces të jenë të pranishëm të gjithë anëtarët e KLP-së.

Anëtari Zeqir Hodo deklaroi se nuk ishte i imperesionuar nga një kërkim i tillë dhe se i vinte mirë që një procedurë e rëndësishme po merrte këtë vëmendje nga vetë këshilli. Ai kërkoi kohë për të dhënë një qëndrim lidhur me kërkesën e Stakës.

Në vijim, Hodo kërkoi që të lexohej kërkesa e Pjetërnikës për përjashtimin e Stakës, duke e cilësuar të rëndësishme që të dihej nga publiku.

“Duhet të lexohet fjalë për fjalë. Kërkoj ta dëgjoj të lexuar fjalë për fjalë, në mënyrë të plotë kërkimin e z.Pjetërnikaj, që të jemi të barabartë në këtë procedurë. Të lexosh se ke një mikrofon, e mos të lexosh objektin, kjo është dhe diskriminuese”, tha Hodo duke vërejtur se ishte garantuar pjesëmarrja e Stakës në një procedurë në të cilën po shqyrtohej kërkesa që ai të mos merrte pjesë në përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. “Ndërkohë që objekti nuk u bë i ditur”, tha Hodo.

Anëtari Sokol Stojani deklaroi se në seancën e së premtes se duhej të diskutohej fillimisht nëse Hodo duhej të ishte ose jo pjesë e procedures për shqyrtimin e kërkesës së Pjetërnikajt, duke konstatuar se Staka e kishte bërë kërkesën në mënyrë sintetike e të arugmentuar. Sipas tij, duhej trajtuar fillimisht kërkesa e Stakës për përjashtimin e Hodos dhe pastaj kërkesa e Pjetërnikës.

Hodo e cilësoi qëndrimin e Stojanit të ngjashëm me argumentin për përjashtimin e tij, duke kërkuar edhe përjashtimin e tij. Hodo vërejti se, nisur nga sa kërkonin kolegët, mbetej që të shqyrtohej fillimisht kërkesa e tij për përjashtimin Stojanit, pastaj ajo e Stakës për përjashtimin e tij dhe në fund çështja e rendit të ditës, lidhur me kërkesën e Pjetërnikës për përjashtimin e anëtarit Vatë Staka nga procedura e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm.

Stojani e cilësoi të pabazuar kërkesën e Hodos duke u shprehur se kishte dhënë mendimin e tij lidhur me kërkesën e Stakës.

Në përfundim, seanca u shty për t’u dhënë kohë anëtarëve të hartojnë dhe paraqesin qëndrimin e tyre, ndërkohë që objekti i kërkesës së kandidatit Pjetërnikaj për përjashtimin e anëtarit Vatë Staka, mbeti e panjohur për publikun.

Për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, me një mandat 7-vjeçar janë futur në garë prokurori i SPAK, Adnan Xholi; ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku; prokurorja pranë Eurojust, Fatjona Memçaj dhe prokurorët e Tiranës, Rovena Zoto e Ylli Pjetërnikaj.