Wed, Sep 2, 2026

Qeveria bllokon pagat e magjistratëve dhe administratës gjyqësore

Qeveria bllokon pagat e magjistratëve dhe administratës gjyqësore
  • PublishedSeptember 2, 2026
Gjyqtarë të rinj gjatë një ceremonie të organizuar me rastin e 25 vjetorin e Shkolles së Magjistraturës. | Foto: LSA

Tre organizatat që përfaqësojnë gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë ngritën përmes një deklarate të përbashkët të mërkurën shqetësimin për bllokimin e pagave të magjistratëve dhe administratës së gjykatave dhe prokurorive nga ana e qeverisë, pas një konflikti të hershëm për një formulë të re të llogaritjes së tyre.

Sipas Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve, mosekzekutimi i pagave ka pasuar vendimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilat vendosën llogaritjen e pagave për shtatorin në përputhje me vendimin e marrë më 17 shkurt nga Gjykata Kushtetuese.

Pasi konstatuan se Kuvendi refuzoi të zbatonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të dy Këshillat vlerësuan se vendimi ishte i detyrueshëm dhe përcaktuan rritjen me pagë bazë referuese prej 222 mijë lekësh dhe 14 mijë lekë për shtesën e kualifikimit.

Në deklaratë evidentohen të gjithë hapat e ndjekur për përllogaritjen e pagave nga 1 gushti dhe kompensimet për periudhën prill 2023 – korrik 2026, e deri në veprimet e kryera nga njësitë përgjegjëse për buxhetin, që janë ngarkuar të fillojnë pagesën e pagave sipas përcaktimve të reja.

“Megjithatë, sot, më datë 02.09.2026, në mënyrë të paprecedentë, ky proces është penguar në fazën e ekzekutimit financiar. Si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të strukturave përgjegjëse të Drejtorisë së Thesarit, pagat e magjistratëve, ndonëse janë përllogaritur dhe urdhëruar për pagesë në zbatim të vendimmarrjeve përkatëse, nuk po ekzekutohen,” thuhet në deklaratën e përbashkët të shoqatave.

Pasojat e kësaj situate nuk kufizohen vetëm te magjistratët, por shtrihen në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në funksionimin financiar dhe administrativ të institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Nga të dhënat e siguruara prej shoqatave të magjistratëve, ka rezultuar se pagat janë ekzekutuar sipas përllogaritjes së re vetëm për zyrat e dy prokurorive, ndërsa për pjesën tjetër të sistemit nuk është bërë ekzekutimi i tyre.

“Shoqatat e magjistratëve e konsiderojnë të papranueshme që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, përfundimtar, i detyrueshëm dhe drejtpërdrejt i zbatueshëm, si dhe për zbatimin e të cilit institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme administrative, të mbetet pa efekt praktik dhe që magjistratët dhe funksionarët e tjerë të sistemit të drejtësisë të mbeten pa paga për shkak të pengesave të krijuara në hallkën e ekzekutimit financiar,” thuhet në deklaratë.

Sipas tyre, vonesat apo pengimi i ekzekutimit të pagesave të miratuara dhe të urdhëruara, sipas formulës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, nuk përbën thjesht një çështje teknike apo procedurale të administrimit buxhetor.

“Bëhet fjalë për një situatë që prek drejtpërdrejt funksionimin normal të sistemit të drejtësisë, sigurinë financiare të magjistratëve dhe efektivitetin e një vendimi 1 të Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, ajo prek respektimin e themeleve të rendit kushtetues dhe të parimit të shtetit të së drejtës, si dhe prodhon pasoja të drejtpërdrejta financiare dhe institucionale,” vërejnë më tej shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Situata e krijuar cilësohet si një precedent tejet shqetësues për mënyrën e respektimit dhe zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në një shtet të së drejtës.

Shoqatat e magjistratëve u bëjnë thirrje strukturave përgjegjëse administrative të Drejtorisë së Thesarit që të përmbushin detyrimet e tyre dhe të mos pengojnë ekzekutimin e pagesave të urdhëruara nga institucionet e sistemit të drejtësisë, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nr. 15, datë 17 shkurt 2026.

Po ashtu, i bëhet thirrje Ministrisë së Financave që të marrë masat e nevojshme për të garantuar ekzekutimin e menjëhershëm të pagave të magjistratëve dhe funksionarëve të sistemit të drejtësisë.

“Bllokimi i pagave të punonjësve të administratës gjyqësore dhe të prokurorisë cenon drejtpërdrejt funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë. Për këtë arsye, kërkohet ndërhyrja e menjëhershme e Ministrit të Financave për garantimin e vijimësisë së pagesave, zhbllokimin e situatës së krijuar dhe marrjen e masave të nevojshme që raste të tilla të mos përsëriten,” shton më tej deklarata.

Shoqatat bëjnë me dije se, në mungesë të një zgjidhjeje të menjëhershme, do të përdoren të gjitha mjetet ligjore në dispozicion, përfshirë kërkimin e përgjegjësive ligjore të personave dhe strukturave përgjegjëse për pengimin ose moskryerjen e pagesave.

E pyetur nga BIRN, Ministria e Financave nuk komentoi deri në publikimin e këtij shkrimi.