Thu, Sep 3, 2026

28 vite bashkëpunim, Inter “ndan rrugët” me Ausilion, Lautaro: Do të qëndroja gjithmonë këtu

28 vite bashkëpunim, Inter “ndan rrugët” me Ausilion, Lautaro: Do të qëndroja gjithmonë këtu
  • PublishedSeptember 3, 2026

Pas 28 vitesh, përfundon një nga historitë më të gjata në futbollin italian. Piero Ausilio dhe Interi ndajnë rrugët, pas pamundësisë për të gjetur marrëveshjen për rinovimin e kontratës.

Klubi zikaltër i kishte propozuar drejtorit sportiv një zgjatje njëvjeçare, ndërsa Ausilio kërkonte një kontratë të paktën dyvjeçare. Në fund, palët ranë dakord për ndërprerjen e menjëhershme të bashkëpunimit.

Ausilio largohet pas një karriere të gjatë, nga sektori i të rinjve deri në drejtimin sportiv të ekipit të parë. I emëruar drejtor sportiv në vitin 2014, ai ishte pjesë e një periudhe të artë, me 3 tituj kampionë, 3 Kupa Italie dhe 3 Superkupa.

Në dekadën e fundit, shumë prej goditjeve të rëndësishme të merkatos zikaltër mbajnë firmën e tij, mes tyre Lautaro Martínez, Barella, Bastoni dhe Thuram.

Në vend të Ausilios, të paktën për momentin, pritet të jetë Dario Baccin, prej vitesh bashkëpunëtor i afërt i drejtorit sportiv.

Ndërkohë në Milano, përgjatë ndarjes së çmimeve të më të mirëve të sezonit të shkuar kapiteni Lautaro Martínez foli edhe për largimin e Ausilios, duke shprehur keqardhjen e tij: “Më vjen shumë keq. Ishte ai që më dha besim dhe më bëri të besoja te projekti. Do t’i jem gjithmonë mirënjohës.”

Argjentinasi konfirmoi gjithashtu vendimin për të qëndruar te Interi, pavarësisht interesimit të Barcelonës: “Do të qëndroja këtu përgjithmonë. Për sa kohë që më duan dhe i shërbej kësaj skuadre, do të jem këtu.”, përfundoi kapiteni interist.