Shqipëria i ndaloi hyrjen cisternës së lidhur me oligarkun rus Timchenko
Kapiteneria i ndaloi më 29 gusht hyrjen në portin e Durrësit cisternës së naftës “Hanuman”, një anije e identifikuar nga inteligjenca ushtarake e Ukrainës si pjesë e të ashtuquajturës “flotë hije”, që Rusia përdor për eksportin e produkteve të naftës.
“Hanuman”, me numër identifikimi IMO 9295048 dhe flamur të Sierra Leones, ishte përfshirë më 26 janar në bazën e të dhënave ‘War&Sanctions’ të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, GUR.
Inteligjenca ukrainase e përshëndeti masën si një shembull të bashkëpunimit ndërkombëtar për zbatimin e sanksioneve dhe kufizimin e rrugëve detare që Moska përdor për eksportin e naftës.
“Vendimi i Shqipërisë për të mos lejuar ‘Hanuman’ të hyjë në portin e saj është një dëshmi e rëndësishme e solidaritetit ndërkombëtar në zbatimin e sanksioneve,” tha GUR në një deklaratë për shtyp.
“Veprimet e përbashkëta të Ukrainës dhe partnerëve të saj të huaj po ia kufizojnë në mënyrë të vazhdueshme Kremlinit mundësinë për të përdorur rrugët tregtare detare për anashkalimin e sanksioneve, duke e detyruar shtetin agresor të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij,” shtoi GUR.
Të dhënat e publikuara nga inteligjenca ukrainase tregojnë se, që nga fillimi i vitit 2025, “Hanuman” ka transportuar jashtë Rusisë të paktën 452 mijë tonë karburant. Udhëtimet kanë nisur kryesisht nga Novorossiysk, një nga portet kryesore ruse në Detin e Zi, me destinacion Turqinë, Senegalin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe një zonë transferimi detar pranë qytetit Augusta në Itali.
GUR pretendon se mbështetja logjistike për këto udhëtime është ofruar nga kompania ruse Altoprae Marine, me bazë në Novorossiysk, të cilën e lidh me një menaxher nga rrethi i oligarkut të sanksionuar rus Gennady Timchenko, një aleat i vjetër i presidentit Vladimir Putin.
Sipas inteligjencës ukrainase, Altoprae Marine u ka shërbyer gjithashtu cisternave “Eventin” dhe “Cordelia Moon” – kjo e fundit tashmë mban emrin “Walrus”, të cilat janë vendosur në listat e sanksioneve të disa vendeve perëndimore dhe të Ukrainës.
Të dyja anijet janë përfshirë më parë në incidente që kanë ngritur shqetësime për sigurinë detare dhe mjedisore.
GUR e lidh Altoprae Marine gjithashtu me operacionet e anijeve të kompanisë “Rosewood Shipping”, e cila, sipas autoriteteve ukrainase, kontrollohet nga Oksana Marchenko, bashkëshortja e politikanit ukrainas pro-rus Viktor Medvedchuk, një aleat i hershëm i Putinit.
E ashtuquajtura “flotë hije” përbëhet nga një rrjet cisternash që Rusia përdor për të mbajtur në lëvizje eksportet e saj të naftës pas vendosjes së sanksioneve perëndimore për pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës. Këto anije operojnë shpesh me flamuj të vendeve të treta dhe struktura pronësie të vështira për t’u gjurmuar.
Vendet e G7-s dhe Bashkimi Europian vendosën në fund të vitit 2022 një kufi çmimi për naftën ruse të transportuar në rrugë detare, së bashku me kufizime për sigurimin, financimin dhe shërbime të tjera të lidhura me transportin.
Shqipëria, vend kandidat për anëtarësim në BE dhe anëtar i NATO-s, është rreshtuar me sanksionet e Bashkimit Europian kundër Rusisë që prej fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt 2022.
Të dhënat e trafikut detar tregojnë se cisterna “Hanuman” e kishte vizituar më herët portin e Durrësit, në nëntor 2025.
Një investigim i BIRN, i publikuar në maj 2026, e identifikoi cisternën si pjesë të një liste anijesh të dyshuara për transport të naftës ruse ose drithërave të vjedhura nga territoret e pushtuara të Ukrainës, të cilat kishin vizituar portet shqiptare që prej vitit 2022, duke ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e sanksioneve të vendosura nga qeveria shqiptare kundër Moskës.
