Fri, Sep 11, 2026

Mary Austin rrëfen për herë të parë marrëdhënien me Freddie Mercuryn: Ai ishte dashuria e jetës sime [video]

Mary Austin rrëfen për herë të parë marrëdhënien me Freddie Mercuryn: Ai ishte dashuria e jetës sime [video]
  • PublishedSeptember 11, 2026





Mary Austin rrëfen për herë të parë marrëdhënien me Freddie Mercuryn: Ai ishte dashuria e jetës sime [video]





Tridhjetë e pesë vjet pas vdekjes së Freddie Mercuryt, Mary Austin ka vendosur të flasë gjerësisht për marrëdhënien e tyre, vitet që kaluan së bashku, ditët e fundit të këngëtarit të Queen dhe trashëgiminë që ai i la.


Për miliona fansa në mbarë botën, Mercury ishte zëri i Queen dhe një prej figurave më të mëdha të historisë së muzikës. Për Austin, ai ishte shumë më tepër: i dashuri i saj i parë i madh, miku më i ngushtë dhe, siç e pranon sot, dashuria e jetës së saj.


Në një intervistë të rrallë për The Guardian, Austin, tashmë 75-vjeçare, ka rrëfyer detaje të panjohura ose pak të njohura për lidhjen e tyre dhe për jetën që ndërtuan pranë njëri-tjetrit.


Nga dashuria te një miqësi e pazakontë


Austin dhe Mercury u takuan në Londër në vitin 1970. Ai ishte ende në fillimet e rrugëtimit muzikor, ndërsa ajo punonte si shitëse. Fillimisht u afruan si miq, por shumë shpejt marrëdhënia u shndërrua në dashuri dhe të dy nisën të jetonin bashkë.


Mercury i propozoi Austin-it në vitin 1973 dhe për disa vite ata e imagjinuan të ardhmen si çift. Megjithatë, marrëdhënia ndryshoi kur Mercury i foli hapur për seksualitetin e tij.


“Mendoj se jam biseksual“, i tha ai.


Austin, sipas kujtimeve të saj, iu përgjigj: “Jo, Freddie, mendoj se je gej”.


Ky moment nuk shënoi fundin e lidhjes së tyre. Përkundrazi, dashuria romantike u shndërrua në një miqësi të thellë dhe në një lidhje emocionale që do të zgjaste deri në fund të jetës së Mercuryt.


“U bëmë miq të mirë dhe u bë një marrëdhënie më e mirë“, kujton Austini.


Ndërsa Queen po ngjitej drejt majave të famës botërore, ajo mbeti një nga njerëzit më të besuar të këngëtarit. Austin punoi edhe si asistente e tij personale dhe ishte pranë tij gjatë viteve të suksesit, udhëtimeve dhe ndryshimeve të mëdha në jetën private.


Në vitin 1985, Mercury e kishte përshkruar Austin-in si të vetmen shoqe që kishte dhe si një person pa të cilin nuk dëshironte të jetonte jetën e tij.


Austin thotë se e kuptonte anën e tij të fshehtë, pas figurës ekstravagante dhe vetëbesimit që shfaqte në skenë.


“Freddie mund ta shihte trishtimin tek unë që ndiente brenda vetes dhe anasjelltas”, rrëfen ajo.


Vitet e fundit të Mercuryt


Kur Mercury u përball me sëmundjen, rrethi i njerëzve që dinin të vërtetën ishte shumë i ngushtë. Austin ishte ndër personat që qëndruan pranë tij gjatë viteve të fundit.


Më 24 nëntor 1991, Freddie Mercury vdiq në Garden Lodge, shtëpinë e tij në Kensington, në moshën 45-vjeçare. Vetëm një ditë më parë, ai kishte konfirmuar publikisht se vuante nga AIDS, pas muajsh spekulimesh mediatike.


Austin kujton momentet e fundit pranë tij.


„I mbaja dorën“, tregon ajo, duke përshkruar se si Mercury, nën efektin e morfinës, humbte dhe rifitonte vetëdijen.


Në një prej çasteve të fundit, ai i tha vetëm dy fjalë: “Besnike e vjetër”.


Për Austinin, humbja ishte shkatërruese. Në atë periudhë ajo ishte shtatzënë dhe, përballë dhimbjes, iu desh të vazhdonte jetën.


Garden Lodge dhe trashëgimia e Mercuryt


Pas vdekjes, Mercury i la Austinit Garden Lodge dhe një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij. Shtëpia, e cila për vite ishte streha private e këngëtarit, mbeti e lidhur ngushtë me kujtimin e tij.


Por trashëgimia solli edhe përgjegjësi të mëdha. Austin u përball me kritika nga disa fansa dhe persona të afërt të Mercuryt, veçanërisht pas vendimit për të nxjerrë në ankand një pjesë të koleksionit të tij.


Një nga sekretet që ajo ka ruajtur për dekada është vendi ku ndodhet hiri i këngëtarit. Mercury i kishte kërkuar të mos e zbulonte kurrë dhe Austin thotë se do ta respektojë këtë amanet.


“Është ajo që ai më kërkoi të bëja. Dhe e bëra”, shprehet ajo.


Arkivi i fshehur për dekada


Për më shumë se 30 vjet, në Garden Lodge mbetën të paprekura kuti me sende personale dhe materiale të Mercuryt. Në vitet e fundit, Austin nisi të hapte arkivin e tij dhe zbuloi dorëshkrime të këngëve, shënime dhe materiale nga procesi krijues i këngëtarit.


Mes tyre kishte edhe versione të hershme të këngëve të Queen, përfshirë materiale të lidhura me „Bohemian Rhapsody“ dhe “We Are the Champions“. Dorëshkrimet janë bërë pjesë e materialeve që ndihmojnë në dokumentimin e procesit krijues të Mercuryt.


“Ndjeva njësoj siç ndjeva kur i paketova fillimisht“, kujton Austin, duke folur për emocionin e përballjes me këto kujtime pas dekadash.


Në vitin 2023, një pjesë e madhe e koleksionit të Mercuryt u ekspozua dhe më pas u shit në ankand nga Sotheby’s. Koleksioni përfshinte mijëra objekte, nga rrobat dhe bizhuteritë te instrumentet, dorëshkrimet dhe sendet personale.


Ankandi i solli rreth 40 milionë paund, ndërsa Austin thotë se vendimi për ta nxjerrë koleksionin në shitje lidhej edhe me dëshirën që objektet të mos mbeteshin të mbyllura përgjithmonë në shtëpi.


Ajo pranon se jo gjithçka shkoi siç kishte imagjinuar dhe se një pjesë e sendeve përfunduan te koleksionistë shumë të pasur. Megjithatë, thotë se nuk është penduar për vendimin.


“Jam 75 vjeç. Do të vdes. Dhe shikova gjithçka në shtëpi, shikova djemtë e mi dhe mendova: kjo do të jetë një barrë për ju”, rrëfen ajo.


“Ai ishte dashuria e jetës sime”


Edhe pse të dy vazhduan jetën e tyre dhe Mercury pati marrëdhënie të tjera, lidhja mes tij dhe Austinit nuk u zhduk kurrë.


Kur pyetet nëse, duke parë pas në jetën e saj, Freddie Mercury ishte dashuria e jetës së saj, Austin nuk ngurron.


“Duke parë prapa, deri tani, po. Ai është dashuria e jetës sime”.


Përtej viteve të dashurisë dhe miqësisë, Mercury i besoi Austinit disa nga gjërat më të rëndësishme të jetës së tij: shtëpinë, pasurinë, arkivin personal dhe një sekret që ajo ka vendosur ta mbajë të fshehtë përgjithmonë.


Në 35-vjetorin e vdekjes së tij, rrëfimi i Mary Austin sjell një portret më intim të njeriut pas ikonës së skenës.


Freddie Mercury mbetet një prej figurave më të mëdha të muzikës, por për gruan që e njohu para famës botërore, ai ishte para së gjithash Freddie — njeriu me të cilin ndau dashurinë, miqësinë, dhimbjen dhe një pjesë të pazëvendësueshme të jetës.


“Të duhet gjithë jeta për ta kuptuar këtë”, thotë Austini. “Në moshën 75-vjeçare shikon prapa dhe mendon: po, jeta ime ka qenë e pazakontë”. /kultplus


 


Image


Image


Image