Gara për “Këpucën e Artë”, Seferi sfidon Manajn, realizon “dopjetë” në Turqi (VIDEO)
Taulant Seferi po kalon një formë të shkëlqyer, me “bomberin” kuqezi që nuk di të ndalet në Turqi. Seferi ishte protagonist absolut për ekipin e tij Kayserispor duke realizuar një “dopjetë” golash përballë Istanbulspor. Seferi mori një “dhuratë” të bukur në minutën e 25-të dhe i pa shqetësuar në zonë e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë. Stafetën e mori më pas Moreno, me sulmuesin kolumbian që realizoi një dygolësh brenda pjesës së parë.
Në fund, në minutën e 83-të, Seferi u shërbye në shtyllën e dytë duke kompletuar “pokerin” e golave për Kayserispor dhe “dopjetën” e tij personale. Falë këtij dygolëshi, Seferi u shpall lojtari i ndeshjes, i vlerësuar me notën 9.1.
Seferi vijon duelin në distancë me Rey Manaj pasi shkon në kuotën e 7-të golave në 7-të ndeshje në Ligën e Parë në Turqi, një gol më shumë se Rey Manaj, ndërsa ekipi i tij kryeson kampionatin me 16 pikë pas 7 javësh.
