Bebe Rexha i shkruan Drake: Jam vajza e ëndrrave të tua, jam shqiptare
Bebe Rexha provoi fatin me Drake. Dhe e bëri në mënyrën më direkte të mundshme. Gjatë një interviste në podcast-in IRL Angie Martinez, këngëtarja me origjinë shqiptare tregoi se i kishte dërguar një mesazh privat reperit pas livestream-it të tij viral “20v1”, ku Drake merrte pjesë në një lloj speed dating.
Rexha tha se vendosi t’ia bënte shumë të qartë pse mendonte se mund të ishte vajza ideale për të.
“Jam vajza e ëndrrave të tua. Jam shqiptare, kam forma dhe kam jetën time”, kujtoi ajo se i kishte shkruar.
Por përgjigjja nuk erdhi kurrë.
“Nuk mendoj se e pa. Ose e pa dhe thjesht më injoroi”, tha Bebe.
Megjithatë, ajo sqaroi se teknikisht nuk mund ta akuzojë Drake se e ka lënë “seen”, pasi reperi nuk e ndjek në Instagram dhe mesazhi nuk rezultoi kurrë si i hapur.
Gjatë bisedës, Rexha bëri edhe shaka për historinë sentimentale të Drake, duke përmendur Rihanna-n.
“Mendoj se kur ke dalë me Rihanna-n, nuk mund të shkosh më lart se kaq”, tha ajo. “Ajo është ‘the baddest’.”
Dhe ky nuk ishte kontakti i parë i sikletshëm mes tyre.
Bebe kujtoi se vite më parë e kishte takuar Drake në një ceremoni çmimesh, kur reperi ishte i rrethuar nga njerëzit e stafit të tij.
Ajo e përshëndeti me: “Hey, Daddy?”
Sipas Rexha-s, Drake e pa keq, ndërsa një pjesëtar i sigurimit iu afrua dhe i tha:
“Mos e quaj kështu.”
Pavarësisht DM-së pa përgjigje dhe atij takimi paksa awkward, këngëtarja nuk e ka mbyllur përfundimisht idenë. Ajo sugjeroi se një mik i përbashkët mund të testonte terrenin dhe të kuptonte nëse Drake ka ndonjë interes, pa e vendosur atë sërish në pozicionin për t’iu afruar drejtpërdrejt.
“Mund t’i thuash: ‘Kam një shoqe me të cilën dua të të lidh’”, i tha Rexha Angie Martinez.
“Sepse nëse ai thotë ‘jo, jam mirë pa të’, atëherë them edhe unë ‘në rregull, ai nuk është i interesuar për mua’.”
Martinez bëri shaka se, të paktën, e gjithë kjo mund të kthehej në një këngë. Madje hodhi idenë që Bebe Rexha dhe Drake të përfundonin një ditë në studio bashkë.
Deri atëherë, mbetet vetëm fakti që Bebe Rexha bëri atë që shumë do të donin ta bënin: i shkroi Drake direkt.
Rezultati? Ende pa përgjigje./CLASS
