Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe liderët e UÇK-së dënohen për krime lufte
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën të mërkurën vendimin për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-komandantë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ish-Presidenti Thaçi u shpall fajtor për krime lufte dhe u dënua me 25 vite burg. Sipas gjykatës, ai u gjet fajtor për krime që përfshinin vrasje, torturë dhe ndalim të paligjshëm në rolin e tij si një komandant i lartë i UÇK-së.
Vendimi i deklaruar nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, e shpalli Thaçin përgjegjës për vdekjen e 96 personave që ishin konsideruar si bashkëpunëtorë të forcave serbe të sigurisë gjatë konfliktit në Kosovë.
Thaçi është një ndër figurat më të rëndësishme politike të shtetit të ri të Kosovës, duke shërbyer si kryeministër e më pas si president i vendit pas çlirimit nga forcat serbe dhe shpalljes së pavarësisë.
Edhe krerët e tjerë të UÇK-së u dënuan me burg për krime të ngjashme përkatësisht 25 vite për Jakup Krasniqin, 18 vite për Kadri Veselin dhe 13 vite burg për Rexhep Selimin.
Thaçi dhe tre komandantët e tjerë kanë deklaruar se janë të pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tyre.
Para shpalljes së dënimeve, trupi gjykues i shpalli ata të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit, duke vlerësuar se Prokuroria nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik ndaj popullsisë civile.
Mijëra qytetarë e ndoqën dhënien e vendimit në sheshin kryesor të Prishtinës, ndërkohë që pankarta gjigante me fotot e ish-komandantëve të UÇK-së u vendosën në hapësirat publike të qytetit.
Të dielën një marshim masiv mbushi rrugët e këtij qyteti në mbështetje të 4 të akuzuarve, të cilët konsiderohen heronj të luftës për liri.
Dhomat e Specializuara u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës për të hetuar krimet e pretenduara të anëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në vitet 1998-2000.
