Thu, Sep 17, 2026

Barça, një “tërmet 7 ballë”, Raphinha i shënon “tripletë” Racing, Flick: Fillim i bukur, por rëndësi ka si e mbyllim

Barça, një “tërmet 7 ballë”, Raphinha i shënon “tripletë” Racing, Flick: Fillim i bukur, por rëndësi ka si e mbyllim
  • PublishedSeptember 17, 2026

7 gola për të futur në “xhep” fitoren e 6 në La Liga. Barça është një “tërmet” i vërtetë në Spanjë, një skuadër e papërmbajtshme që në 6 javë ka shënuar 28 gola, shifra të jashtëzakonshme. “Viktima” e tyre e radhës ishte Racing Santander, me miqtë që rezistuan vetëm 8 minuta lojë, ku Cancelo me një predhë nga distanca zhbllokoi rezultatin.

Në të 25-tën, Raphinha fitoi një penallti dhe po vetë nga pika e bardhë, braziliani dyfishoi shifrat. Racing reagoi dhe 5 minuta më vonë ngushtuan rezultatin në 2-1 me Gueye. Goli vetëm sa “ndezi” më shumë Barçën ku në të 36-tën, sërish Joao Cancelo, sërish me një goditje spektakolare nga distanca tundi rrjetën duke kompletuar “dopjetën” e tij personale dhe golin e tretë për Barçën. Ekipi i Hansi Flick nuk e uli ritmin për asnjë moment ku në minutën e 42-të Raphinha gjeti sërish rrugën e rrjetës, i shërbyer brenda në zonë nga Dani Olmo. Në fundin e pjesës së parë, Adeyemi fitoi një penallti, me Raphinha që lejojë Lamine Yamal ta godiste, por ylli spanjoll gaboi nga 11-metra distancë.

Ashtu si në pjesën e parë, reagimi i Racing Santander ishte i vakët, por një gafë e Szczensy i lejoi të shënonin golin e dytë. Adeyemi dy minuta më pas fitoi një penallti, por këtë herë nga 11-metra distancë u paraqit sërish Raphinha, me brazilianin që nuk gaboi duke kompletuar tripletën e tij personale. Për kapitenin ky ishte goli i tij 9-të sezonal, golashënuesi më i mirë në La Liga.

Siç është bërë tashmë traditë në sfidat e fundit, Flick hodhi në fushë për pak minuta edhe Gabriel Jesus, me brazilianin që po shfrytëzon çdo detaj, çdo minutë, ku edhe ndaj Raciung gjeti golin me një godite plot klas brenda në zonë. Lojtarët e Barçës bënë gjithçka që të dërgonin Lamine Yamal te goli, e bëri diçka të tillë Adeyemi, me sulmuesin gjerman që e ftoi Yamal të siglonte shifrat përfundimtare në 7-2.

Me 18 pikë në 6 javë, Barcelona kryeson e vetme La Liga, plus 3 pikë nga Real Madrid: “Është gjithnjë bukur ta nisësh mirë, por rëndësi ka se si e mbyll. Më pëlqen ritmi dhe intensiteti që kemi, të gjithë bëjnë presion dhe të gjithë janë të përfshirë. Mënyra se si po punojmë si ekip është shumë vendimtare”, u shpreh Hansi Flick pas suksesit 7-2 përballë Racing Santander.