Protesta përpara Kuvendit zhvillohet mes tensioneve, policia shoqëron disa qytetarë
Protestuesit nisën të mblidheshin rreth orës 10:00 pranë godinës së Kuvendit, pak përpara fillimit të seancës plenare. Ata kërkuan largimin e Ramës dhe u bënë thirrje efektivëve të policisë që të mos mbronin qeverinë.
Protesta vijoi për disa orë dhe u shoqërua me tensione në disa pika të qendrës së Tiranës.
Forca të shumta policie kishin bllokuar rrugët pranë Xhamisë së Namazgjasë dhe Institutit të Integrimit të Ish të Përndjekurve Politikë, si dhe në të dyja anët e qendrës tregtare “Toptani” dhe pranë Ministrisë së Brendshme.
Disa protestues hodhën vezë dhe letra higjienike në drejtim të policisë, ndërsa turma brohoriste “Jep dorëheqjen”, “Polici e krimit” dhe “Mos e mbroni Ramën”.
Tensionet u shtuan pranë Ministrisë së Brendshme, ku disa protestues tentuan të kalonin kordonin e policisë dhe gardhin metalik që ndante turmën nga godina. Policia ndërhyri dhe shoqëroi disa prej tyre.
Më pas, protestuesit u zhvendosën në zonën mes Xhamisë së Namazgjasë dhe selisë së Partisë Demokratike, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin. Disa prej tyre rrëzuan koshat e mbeturinave pranë selisë së PD-së dhe ndërtesës ku ndodhet qendra tregtare ETC.
Kur një pjesë e protestuesve u nis drejt Kryeministrisë, forca të ndërhyrjes së shpejtë u dislokuan për t’u bllokuar rrugën. Në përplasjet që pasuan, policia shoqëroi disa persona, ndërsa turma u shpërnda.
Vetëm një numër i vogël protestuesish u kthyen më pas pranë Kuvendit, ku kërkuan lirimin e rreth dhjetë personave që, sipas tyre, ishin shoqëruar nga policia.
Protestat antiqeveritare, të njohura nga organizatorët edhe si “Revolucioni i Flamingove”, kanë vijuar prej rreth 110 ditësh, me kërkesa që përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit dhe masa kundër korrupsionit.
Gjatë protestave të mëparshme, dhjetëra persona janë shoqëruar ose arrestuar pas përplasjeve me policinë, ndërsa në disa raste gjykatat kanë rrëzuar ose zbutur masat e kërkuara ndaj protestuesve.
