Michelle Obama sjell stilin amerikan në rikthimin e Céline Dion në skenën e Parisit
Michelle Obama tregon se stili amerikan nuk ka nevojë të shfaqet gjithmonë me ngjyrat dhe simbolet e flamurit. Ndonjëherë ai lidhet me mbështetjen e stilistëve që po ndryshojnë mënyrën se si perceptohet moda amerikane.
Të enjten në mbrëmje në Paris, ish-Zonja e Parë mori pjesë në koncertin emocional të Céline Dion, në rikthimin e saj në skenë. Obama kishte zgjedhur një veshje nga Diotima, marka me bazë në NjuJork e themeluar nga stilistja me origjinë nga Xhamajka, Rachel Scott, e cila është gjithashtu drejtoreshë kreative e Proenza Schouler.
Obama veshi një fustan të gjatë ngjyrë gri të errët, me jakë të ulët dhe të harkuar, si dhe një bust të strukturuar me bel të ulët, të kombinuar me kadife blu të errët. Ajo zgjodhi aksesorë në të njëjtat tone: një çantë kamoshi Liffner dhe këpucë me taka. Flokët gërsheta, në nuanca kafe të kuqërremta, i kishte mbledhur në një bisht të ulët dhe të lirshëm, ndërsa buzët rozë të çelëta dhe manikyri blu pastel i jepnin pamjes një prekje më të butë.
Zgjedhja ishte e përshtatshme për një mbrëmje kushtuar një ikone të muzikës. Koncerti i Dion me 12 shtator ishte shfaqja e saj e parë e plotë pas më shumë se gjashtë vitesh dhe shënoi nisjen e qëndrimit të saj në Paris, pas një periudhe të gjatë larg skenës për shkak të sindromës së personit të ngurtë. Në publik ishin edhe Oprah Winfrey, Shania Twain dhe Haider Ackermann.
Veshja nga Diotima vazhdon gjithashtu një nga tiparet kryesore të stilit të Obamës pas largimit nga Shtëpia e Bardhë: mbështetjen e qëllimshme për stilistët me ngjyrë, veçanërisht ata me një identitet të veçantë krijues. Scott themeloi Diotima në NjuJork në vitin 2021, duke u bazuar në traditat artizanale të Xhamajkës, përfshirë punimet me grep të realizuara nga artizanë në ishull, të ndërthurura me prerje të sakta dhe silueta moderne.
Obama duket se është bërë një adhuruese e stilit të Rachel Scott. Në korrik, në Essence Festival of Culture, ajo zgjodhi një fustan të zi nga Proenza Schouler, me thekë dhe detaje metalike.
Ditët e fundit kanë qenë të ngarkuara me modë për ish-Zonjën e Parë. Në gjysmëfinalet e US Open, ajo zgjodhi një fustan Chanel me vija të kuqe, të bardha dhe blu, ndërsa një ditë më vonë, në aktivitetet për përkujtimin e 25-vjetorit të 11 Shtatorit, veshi një fustan Ferragamo ngjyrë kafe, prej stofi dhe lëkure.
Zgjedhjet e fundit të Michelle Obamës tregojnë qartë një parim që ajo e ka kuptuar gjithmonë mirë: të vishesh sipas rastit nuk do të thotë të heqësh dorë nga stili yt personal. /Vogue – Syri.net
