Ftesa e parë me Shqipërinë, Sina tregon emocionet: Mora babin në telefon dhe nuk e besonte, këta lojtarë i kam parë nga televizori
Samuele Sina është padyshim risia e madhe e trajnerit të Kombëtares, Rolando Maran, i cili ka vendosur të afrojë mbrojtësin 19-vjeçar nga Union Breshia në Serinë C për sfidat e Ligës së Kombeve. Një grumbullim surprizë për opinionin sportiv e padyshim edhe për vetë futbollistin, i cili ka treguar në një intervistë emocionet e tij për këtë ftesë të parë dhe objektivat që ka në këtë grumbullim bashkë me shokët e ekipit.
“Jam shumë i kënaqur që jam këtu me ekipin e parë, lajmin e kam marrë kur isha në makinë, duke mbaruar stërvitjen me Breshian, gjëja e parë që bëra mora babin në telefon, i thashë direkt. Babi nuk e besonte, sa erdha në shtëpi mora gjyshin, nënën…
Kam qenë me U19 dhe kam qenë shumë tifoz i ekipit kombëtar, i kam parë lojtarët nga televizori. Jam shumë i kënaqur që kam këtë mundësi që të paraqitem me këta lojtarë.
Ne stërvitemi çdo ditë, është një kompeticion shumë i veçantë, shumë i vështirë. E kemi të qartë se kush është objektivi jonë dhe do të bëjmë çfarë është e mundur për ta arritur”, u shpreh Sina në një prononcim të publikuar nga FSHF në rrjetet sociale.
