Ylli i ri i Real Madridit, polemika me Loredanën
Yan Diomande ka reaguar ndaj një komenti thumbues të Loredana Zefit, bashkëshortes së Karim Adeyemit, lidhur me shumën prej 140 milionë eurosh që Real Madridi pagoi për sulmuesin e ri.
Gjithçka nisi pasi Loredana iu përgjigj një postimi të partnerit të saj, Adeyemi, i cili lidhej me çmimin që, sipas tij, duhej të ishte paguar për transferimin. Reperja dhe influencuesja shkroi “140 milionë”, të njëjtën shumë që Real Madridi shpenzoi për të transferuar lojtarin nga Bregu i Fildishtë. Komenti u bë viral, por më pas u fshi.
Diomande nuk e la pa përgjigje këtë thumbim. Futbollisti publikoi një video në të cilën bën playback me një këngë ku përsëritet fraza: “140 milionë, kaq kërkuan”, ndërsa më pas shfaqet edhe një tjetër pjesë me mesazhin: “Gjithmonë do të na kritikojnë… Ne thjesht vazhdojmë të ngjitemi”.
Edhe pse lojtari nuk e përmend drejtpërdrejt Loredana Zefin, postimi i tij është interpretuar gjerësisht si një përgjigje ndaj saj dhe kritikave për shumën e lartë të transferimit.
Diomande duket se ka zgjedhur ta kthejë polemikën në motivim, duke nënvizuar se kritikat nuk do ta ndalin dhe se synimi i tij është të vazhdojë të përmirësohet dhe të justifikojë investimin e madh të Real Madridit.

