Intervista/ “Maran ka nuhatjen e duhur”, Rraklli i bindur: Muçi në qendër të projektit kuqezi, ndaj San Marinos mos të nxitojmë (VIDEO)
Shqipëria zbret në fushë ndaj San Marinos në mbrëmje, me kuqezinjtë që kërkojnë një tjetër sukses në Ligën e Kombeve, pas fitores ndaj Bjellorusisë. Ish futbollisti kuqezi, Altin Rraklli, foli për kombëtaren, në një intervistë për Sport News në News 24. Në bisedën me Trevisa Tufën, Rraklli komentoi “fytyrën” e re të Shqipërisë, ndryshimet dhe natyrisht u ndal te elementë të veçantë.
Rraklli, çfarë shije të la sfida e parë zyrtare e Maran, fitorja ndaj Bjellorusisë, çfarë të bëri përshtypje?
Mua më la një shije të mirë. Fillimi i ndeshjes nuk ishte i mirë. Pas minutës së 15-të, dolëm në lojën tonë. Ky ekip është në rrugën e duhur. Ishte ndeshje e kënaqshme. Donim të bënim diçka ndryshe dhe e vërtetuam. Kishim konstrukt shumë pozitiv në të gjitha repartet.
Bëri shumë zhurmë në fakt, lënia jashtë e elementëve si Broja apo Bajrami, gjithashtu ulja në stol e Mitaj. Si i pe këto lëvizje dhe a ishit dakord?
Unë kisha ato pikëpyetjet e mia. Pilo duket se ka personalitet dhe ka shumë besim tek vetja. Aktivizimi i tij më pëlqeu, në ofensivë bën më shumë se Mitaj. Me Sylvinhon luanim me 3 mesfushorë.
Ky mund të ishte një rend i ri, pra një sinjal i trajnerit se në përfaqësuese vijnë lojtarët më në formë, por kishim edhe Hysaj, pa ekip, por titullar, gjithashtu u rikthye edhe Berisha…A ka diçka që kërcet?
Nëse i marrim një për një lojtarët, Maran ka vite që drejton, nga ana e përvojës, le të themi se ka eksperiencë. Ne e dijmë që italianët kanë shkollën më të madhe. Ai mori Berishën dhe e futi para Sherrit.
Sa i takon Hysaj, tani që nuk ka ekip, është në formën më të mirë. Po kalon një rini të dytë. Në të gjitha ndeshjet ka treguar klas. Kjo tregon nuhatjen.
A ishte ky momenti për të bërë disa ndryshime, për të afruar lojtarë të rinj në Kombëtare, për t’i provuar, apo Maran është nën presion për të fituar këtë Grup, luan edhe për kontratën e tij?
Ti e dhe përgjigjen, Maran është një trajner me përvojë dhe i vjetër, e ka nuhatjen. Për të, kjo është diçka e re. Për lojtarë të veçantë, e ka nuhatjen. Duhet të dalë në vend të parë. Zgjedhjet e tij duhet të kenë sukses.
Një ndryshim i dukshëm ishte vendosja e Muçit në qendër të projektit, duke e shndërruar në lojtarin kyç. A jemi pak të vonuar në këto momente, a i kemi hyrë në “hak” Muçit?
Nuk i kemi hyrë ne në hak por stafi teknik. Duhet të kishte marrë shumë më shumë minuta. Ne do marrim më të mirën nga ai. Ne do marrim për bazë formën, moralin që kanë për momentin dhe kjo vjen nga kualiteti dhe golat që bën. Muçi i ka patur këto vjet. Trajneri i ri e tregoi veten e vet. Ekipi jonë duhet të mësojë që të mos lejë shumë hapësira mbrapa dhe të shfrytëzojmë në sulm.
Fillimi i lojës nuk më pëlqeu, e thashë edhe më lart.
Sot është testi për ta vërtetuar këtë, ndaj San Marinos vetëm fitorja nuk mjafton, kërkohet goleadë. Pret një Shqipëri më sulmuese? Është e mundur të bëjmë p.sh atë që bëri Finlanda?
Ne ta marrim ndeshjen me ftohtësi. Finlanda bëri shtatë gola se është ekip nordik, i ftohët. Ti duhet të bësh golin e parë njëherë. San Marino është brenda Italisë, dijnë që të mbrohen.
