Donnarumma bën heroin, i dhuron një pikë Italisë në Francë, Zidane: Ndihem keq…
Nga goditja e famshme ndaj Materazzi-t, 20 vite më pas, për herë të parë Zinedine Zidane përballet sërish me Italinë, këtë herë si trajner. Në “Stade de France”, në një atmosferë fantastike, në letër t’i rrëmbeje një pikë Francës dukej e vështirë, por Italia e bëri diçka të tillë, në stilin e tyre, falë dhe një super Donnarumma.
Sfida nisi “zjarr” ku pas vetëm 9 minutash lojë, Kean kishte shansin e artë të kalonte Italinë në avantazh, por në mënyrë të pabesueshme, pak metra larg vijës fatale, sulmuesi i Comos gaboi në mënyrë flagrante duke përplasur topin në trupin e portierit Mike Maignan. Stafetën e mori më pas Donnarumma, me portierin e Man.City që bëri mrekullinë me një pritje dyshe. Fillimisht grushtoi goditjen e Doue, por topi shkoi në këmbët e Dembele, Donnarumma reagoi sërish në mënyrë fantastike duke mbajtur portën të paprekur.
Në mungesë të Kylian Mbappe, lideri absolut i Francës është shndërruar Olise. Sulmuesi i Bayern Munich realizoi një tjetër gol fantastik, ku gjatë zhvillimeve të një goditje dënimi dërgoi topin në trekëndësh duke lënë të hipnotizuar Donnarmma-n. Më Francën që kishte kontrollin e lojës, Italia përfitoi nga një gafë e “gjelave”, me Bastonin që rrëmbeu një top dhe me një goditje të saktë bërë që në “Stade de France” të pllakoste heshtja në minutën e 68-të. Pjesa e mbetur e sfidës nuk solli ndryshim në rezultat, me Francën që mbeti me 10 lojtarë kur Upamecano u “skuq” pas një ndërhyrje të gabuar ndaj Kean.
Dukshëm, Zidane u larguar i mërzitur nga ky takim, pika ndaj Italisë i rri ngushtë trajnerit të “gjelave”: “Ndihem keq, dëshironim ta fitonim këtë takim. I bëra komplimente djemve. Nuk e di nëse ky është rezultati i drejtë i këtij takimi, por ky është futbolli”, u shpreh ndër të tjera Zinedine Zidane.
I kënaqur me pikën dhe lojën e shfaqur nga ekipi i rij ishte Roberto Mancini: “Ishte një mbrëmje shumë pozitive, u mbrojtëm dhe sulmuam si skuadër kundër një rivali shumë të fortë. Ky grup, mund të bëhet një përfaqësuese optimale, por na duhet kohë”, theksoi Mancini pas barazimit 1-1 përballë Francës.
