Sun, Oct 11, 2026

Rrëshqitja e kodrës së Currilave, rrezik për pallatet buzë detit në Durrës

Rrëshqitja e kodrës së Currilave, rrezik për pallatet buzë detit në Durrës
  • PublishedOctober 11, 2026
Rrëshqitje e dheut rrezikon pallatet në Durrës | Foto: Bashkia Durrës

Pas katër muajsh me thatësirë dhe temperatura të larta, durrsakët i pritën me kënaqësi reshjet e ditës së premte.

Por jo të gjithë kanë të njëjtën ndjesi.

Një grup banorësh në pallatet e rrugës së Currilave, buzë detit, vazhdojnë ta shohin kodrën mbi banesat e tyre si një rrezik të përhershëm shembjeje.

Katër muaj më parë, muri mbrojtës prej betoni u këput nga dherat e ngarkuara me lagështirë, ndërsa pishat u shkulën dhe u mbështetën mbi katin e parë të pallateve.

Specialistët janë të bindur se pallatet janë ngritur në vendin e gabuar dhe se formacionet ranore dhe argjilore e bëjnë mjaft të lehtë rrëshqitjen drejt nivelit zero, pra drejt detit.

Prof. Adem Hyseni e monitoron këtë zonë që nga viti 1974, kur përgatiste studimet për kërkimet e naftës dhe të gazit.

Prof. Hyseni tha për BIRN se shkëmbinjtë e alternuar argjilorë dhe ranorë e filtrojnë në shkallë të ndryshme ujin, çka i shkatërron strukturat dhe i lehtëson rrëshqitjet masive, sidomos në këtë zonë.

“Kjo strukturë është mjaft e rrezikuar, çka konstatohet edhe nga studimet sizmike të viteve ’80 deri në territorin e Kallmit në veri,” shtoi prof. Adem Hyseni.

Më tej, ai tha se “nuk e di se cila është shkalla e dëmtimit nga ngarkesa e ndërtimeve pas viteve 2000”.

Kodra e Currilave shtrihet në pjesën veriperëndimore të qytetit të Durrësit, përgjatë bregdetit të Adriatikut, duke formuar një pjesë të vargut kodrinor që vijon drejt Kallmit dhe Porto-Romanos.

Me shpate të pjerrëta që zbresin drejt detit, zona ka qenë tradicionalisht një nga hapësirat më të njohura të pushimit për durrsakët, falë plazheve të vogla, gjelbërimit dhe pishave që dikur mbulonin një pjesë të madhe të kodrës.

Nga pikëpamja gjeologjike, kodra përbëhet kryesisht nga formacione sedimentare të alternuara argjilore dhe ranore, të krijuara gjatë miliona viteve. Këto formacione kanë qëndrueshmëri të ndryshme ndaj ujit dhe erozionit.

Argjilat kanë prirjen të bymehen kur thithin lagështirë dhe të tkurren gjatë periudhave të thata, ndërsa ndërthurja e tyre me shtresat ranore krijon kushte të favorshme për paqëndrueshmërinë e shpateve.

Proceset e erozionit dhe rrëshqitjet e dherave janë fenomene të njohura në këtë segment të bregdetit, të dokumentuara në studime gjeologjike shumë kohë përpara ndërtimeve të dekadave të fundit.

Gjatë tri dekadave të fundit, peizazhi i Currilave ka ndryshuar ndjeshëm. Nga një zonë kryesisht natyrore dhe rekreative, me plazhe të vogla dhe shpate të gjelbëruara, bregdeti është shndërruar gradualisht në një hapësirë të urbanizuar, ku janë ngritur pallate banimi, hotele, restorante dhe lokale shërbimi..

Rrëshqitjet e dheut në Kodrën e Currilave janë një fenomen i përsëritur prej më shumë se një dekade, duke rrezikuar rrugën bregdetare, bizneset dhe pallatet e ndërtuara rrëzë shpatit.

Në vitin 2014, Ministria e Mjedisit ndërmori një projekt rehabilitimi, që përfshinte vendosjen e rrjetave mbrojtëse, gjelbërimin dhe ndërtimin e infrastrukturës rekreative, po ai nuk rezultoi i suksesshëm.

Neritan Vila, një nga familjarët e pallatit të dëmtuar, tha për BIRN se fillimisht prania e inspektorëve të bashkisë dhe të emergjencave civile ishte më e dukshme.

Për shkak të rrezikut të dukshëm, bashkia ofroi si zgjidhje strehimin e përkohshëm në mjediset e shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme.

Banorët gjetën zgjidhje individuale dhe u rikthyen shumë shpejt në apartamentet e tyre, ashtu siç u kthyen edhe një pjesë e banorëve që jetojnë jashtë vendit.

Sipas tij, në pallatin më të rrezikuar, me 40 apartamente, banojnë gjatë gjithë vitit vetëm 15-16 familje, por disa prej tyre kanë blerë 2-3 apartamente për familjarët e tjerë, pasi ndërtesa ndodhet buzë detit, në një nga vendet më të bukura të qytetit.

Por pas rrëshqitjeve të pranverës, e vetmja gjë me vlerë duket të jetë një projekt i ndërhyrjeve përforcuese në shpatin kodrinor, pa marrë përsipër investimin për rikthimin e normalitetit në zonë.

Bashkia, në përgjigjen e kërkesës së BIRN, tha se bashkë me studimin inxhinierik-sizmologjik është përgatitur edhe akt-ekspertiza e vlerësimit të aftësisë mbajtëse strukturore të ndërtesës ekzistuese.

Të gjitha dokumentet u janë dërguar institucioneve përkatëse në Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile.

Bashkia u ka kërkuar këtyre institucioneve të parashikojnë edhe investimin përkatës për rikthimin e normalitetit.

Prof. gjeolog Adem Hyseni nuk është optimist. Ai sjell rastin e një bunkeri të ndërtuar mbi kreshtën e kodrës në vitin 1982.

“Ai bunker rrëshqiti 40 vjet më vonë nga lartësia 96 metra dhe, për shkak të një pengese, fatmirësisht mbeti në gjysmën e lartësisë së kodrës, se kush e di se sa dëme do të kishte sjellë,” shpjegoi prof. Adem Hyseni.