Tue, Oct 13, 2026

Protesta e studentëve në Tiranë shoqërohet me përplasje me policinë

Protesta e studentëve në Tiranë shoqërohet me përplasje me policinë
  • PublishedOctober 13, 2026
Autoboti i Policisë së Shtetit, i rrethuar me policë me skafandra, shtyn protestuesit nga rruga e Durrësit drejt sheshit Skënderbej në Tiranë | Foto: Xhemali Moku/BIRN

Protesta e studentëve dhe të rinjve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë u shoqërua me përplasje mes një pjese të demonstruesve dhe policisë, pasi protestuesit hodhën sende drejt godinës dhe dëmtuan rrethimin e saj.

Policia përdori autobotin me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa 16 protestues janë shoqëruar, sipas zëdhënësit të Policisë së Shtetit.

Tubimi ishte thirrur në orën 14:00, me një apel për pjesëmarrjen e studentëve nga i gjithë vendi. Pjesëmarrësit kërkuan kushte më të mira për arsimin dhe hodhën slogane kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“Duam kushte, duam dije, jo pallavra qeverie”, ishte një nga thirrjet e protestuesve, të cilët ngritën shqetësime për vështirësitë ekonomike dhe largimin e të rinjve nga Shqipëria.

Protestuesit hodhën vezëve drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa disa syresh shkulën kangjellat dhe pllakat e trotuarit dhe goditën xhamat e ndërtesës me gurë.

Gjatë ndërhyrjes, policia shtyu një pjesë të turmës përgjatë Rrugës së Durrësit, ndërsa mediat publikuan pamje ku shfaqen efektivë policie duke tërhequr zvarrë një protestues dhe duke e goditur me shkop gome.

Protesta e studentëve vjen pas më shumë se katër muajsh tubimesh kundër qeverisë në Tiranë, të nxitura fillimisht nga kundërshtimi ndaj projektit turistik në Zvërnec dhe shqetësimet për mbrojtjen e mjedisit e të pronës.

Protestuesit i zgjeruan kërkesat, duke përfshirë dorëheqjen e qeverisë së Edi Ramës dhe shfuqizimin e ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura dhe investitorët strategjikë.

Tubimet dhe marshimet në kryeqytet kanë vijuar gjatë verës dhe vjeshtës, ndërsa largimi i qeverisë ka mbetur një nga kërkesat kryesore të pjesëmarrësve.