Përfundon me sukses kursi i parë UEFA Goalkeeper A, Presidenti Duka: Një zhvillim shumë i rëndësishëm për futbollin shqiptar
Federata e Futbollit ka përmbyllur me sukses kursin UEFA Goalkeeper A, nivelin më të lartë të kualifikimit për trajnerët e portierëve, i organizuar për herë të parë në Shqipëri. Programi nisi në maj të vitit 2025 dhe zgjati më shumë se një vit, duke përfshirë përgatitje teorike dhe praktike në përputhje me kërkesat e futbollit modern.
Në ceremoninë e diplomimit mori pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Në përfundim të kursit u diplomuan 15 trajnerë, mes tyre emra të njohur të futbollit shqiptar, si Ilir Bozhiqi, Taulant Guma, Ideal Lekiqi, Bledian Rizvani, Alfred Osmani dhe Bledar Baholli.
Gjatë programit, kursantët u fokusuan te aspektet taktike, përgatitja psikologjike, analiza e performancës dhe bashkëpunimi me stafin teknik. Në zhvillimin e kursit kontribuuan edhe specialistë ndërkombëtarë nga klube të njohura europiane, si Real Madrid, Liverpool, Inter dhe Tottenham.
Në fjalën e tij në ceremoninë e diplomimit, Presidenti Duka vlerësoi rëndësinë e këtij programi për futbollin shqiptar, duke theksuar se përfundimi i edicionit të parë përbën një hap të rëndësishëm në formimin profesional të trajnerëve të portierëve.
“Është vërtet kënaqësi për mua të jem sot me ju këtu në një ditë vërtet të rëndësishme për futbollin në përgjithësi. Sot në këtë sallë shoh figurat kryesore të trajnimit të portierëve në Shqipëri, në ciklin që përfunduat. Ciklin e parë që organizon FSHF, për trajner portierash i nivelit më të lartë, UEFA Goalkeeper A. Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm për Federatën e Futbollit, për futbollin shqiptar në përgjithësi, për ta rritur atë në nivelet më të larta profesionale. Ju jeni të parët që keni dalë nga ky edicion i parë, që ka zgjatur afërsisht 1 vit.
Nëse do të shohim historinë e futbollit shqiptar, kohën kur ne kemi filluar për herë të parë të përgatisim në mënyrë zyrtare trajnerë, që kanë të drejtën e ushtrimit të këtij profesioni, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në të gjithë botën, koha është e shkurtër, por zhvillimi është i madh”, – u shpreh ai.
Presidenti Duka vlerësoi gjithashtu punën e të gjithë atyre që kontribuuan në organizimin e këtij kursi, duke theksuar rëndësinë e vijimit të programeve të kualifikimit për trajnerët në sektorë të ndryshëm të futbollit.
“Zhvillimi që ka futbolli dhe kaq shumë nivel ekspertize dhe nivel profesional që kërkon shumë shpejt, besoj që do të fillojmë të bëjmë edhe përgatitje për trajnerët e çdo sektori të fushës. Unë jam vërtet i kënaqur. Dua të falënderoj në radhë të parë administratën, sekretarin e Përgjithshëm, Ilir Shulkun, drejtorin Teknik, Abdyl Kuriun, dua të falënderoj shumë Erion Metën sepse ka qenë një shtysë, Ardi Beharin si drejtues i shkollës së futbollit shqiptar, sepse ka qenë një shtysë dhe insistues që ne ta fillojmë UEFA Goalkeeper A në vitin 2025 dhe që përfundon sot. Jemi nga Federatat e para. Uroj që t’i shërbejë shumë përgatitjes së portierëve”, – theksoi Presidenti i FSHF-së.
Në përfundim, Presidenti Duka uroi trajnerët e diplomuar për sukses në punën e tyre dhe i inkurajoi që të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori, duke nënvizuar se përvoja e edicionit të parë do të shërbejë edhe për përmirësimin e organizimit në të ardhmen.
“Duke pasur parasysh sa i rëndësishëm që është, ne i kemi dhënë peshën e duhur, rëndësinë e duhur. Besoj që e kemi organizuar mirë, por padyshim që ka vend për përmirësim. Ju jeni ata që do ta çoni akoma më tej, sepse jeni realisht në nivelin e profesorëve, pavarësisht se ky ishte zyrtarisht edicioni i parë i këtij kursi të përgatitjes së trajnerëve në Shqipëri. Ju uroj shumë suksese në terren dhe ta çoni akoma më përpara këtë sektor të rëndësishëm apo këtë pjesë shumë të rëndësishme të futbollit në përgjithësi në vendin tonë”, – përfundoi Presidenti Duka.
