Wed, Oct 14, 2026

Policia arreston 16 persona pas protestës së studentëve në Tiranë

Policia arreston 16 persona pas protestës së studentëve në Tiranë
  • PublishedOctober 14, 2026
Policia duke arrestuar studentin Klevi Metaj gjatë protestës studentore jashtë Ministrisë së Arsimit | Foto: LSA

Policia e Tiranës njoftoi të mërkurën arrestimin e 16 personave dhe procedimin penal të 49 të tjerëve pas protestës së studentëve më 13 tetor, e cila u përshkallëzua në përplasje të dhunshme me forcat e rendit dhe u shoqërua me dëmtime të institucioneve publike e bizneseve private. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetime edhe për veprimet e policisë ndaj protestuesve, pas publikimit të pamjeve të përdorimit të dhunës.

Sipas njoftimit të policisë, incidentet nisën gjatë tubimit të organizuar rreth orës 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit, ku grupe protestuesish, disa prej tyre të maskuar, hodhën gurë, kapsolla, kokteje molotovi dhe sende të tjera në drejtim të forcave të rendit dhe ndërtesave përreth.

Protesta ishte thirrur nga studentë dhe të rinj, të cilët kërkuan kushte më të mira për arsimin, ngritën shqetësime për vështirësitë ekonomike dhe emigrimin, si dhe hodhën slogane kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“Duam kushte, duam dije, jo pallavra qeverie”, ishte një nga thirrjet e protestuesve.

Përplasjet u përhapën më pas në zona të tjera të qendrës së Tiranës. Policia përdori autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, ndërsa pamjet e publikuara nga mediat treguan edhe ndërhyrje të dhunshme të efektivëve ndaj disa protestuesve.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 13 persona u paraqitën për ndihmë mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Të mërkurën Ministria shtoi se 6 të lënduar po merrnin trajtim mjekësor tek Spitalit i Traumës. Policia raportoi gjithashtu se gjashtë efektivë mbetën të plagosur gjatë përplasjeve.

Në bilancin e dëmeve materiale, policia renditi dëmtimin e kangjellave, mureve dhe dritareve të Ministrisë së Arsimit, si dhe të infrastrukturës rrugore, tabelave të reklamave dhe sinjalistikës.

Sipas saj, protestuesit thyen dhe dogjën sende brenda një institucioni mikrofinanciar, dëmtuan fasadën e xhamtë të një banke të nivelit të dytë dhe i vunë flakën katit të parë të një godine të Bashkisë së Tiranës në rrugën “Ded Gjon Luli”, pasi kishin thyer njërën prej dyerve të saj.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, policia arrestoi në flagrancë 16 persona, të moshave nga 23 deri në 59 vjeç, të dyshuar për një sërë veprash penale, përfshirë goditjen për shkak të detyrës, kundërshtimin e punonjësit të policisë, prishjen e rendit dhe qetësisë publike dhe shkatërrimin e pronës.

Mes veprave penale të referuara janë edhe shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse, shkatërrimi i pronës me zjarr, vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta. Njoftimi nuk specifikon akuzat individuale për secilin prej të arrestuarve.

Policia bëri të ditur se ka nisur procedimi penal edhe për 49 persona të tjerë, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e pjesëmarrësve të tjerë të dyshuar për përfshirje në incidentet e dhunshme.

Nën hetim edhe veprimet e policisë

Bilanci i arrestimeve u publikua një ditë pasi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi pezullimin nga detyra të katër efektivëve dhe shefit të Rendit në Komisariatin Nr. 1, pas publikimit të një videoje ku një 19-vjeçar me këmbë të thyer shfaqej duke u transportuar në mënyrë të papërshtatshme nga punonjësit e policisë pranë Parlamentit.

Pamje të tjera të publikuara gjatë protestës treguan efektivë policie duke tërhequr zvarrë një demonstrues dhe duke e goditur me shkop gome.

Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor ndaj pesë punonjësve të pezulluar, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka filluar hetimet për rastin e 19-vjeçarit.

Policia njoftoi gjithashtu ngritjen e një grupi të posaçëm për të analizuar veprimet e efektivëve gjatë gjithë protestës dhe për të verifikuar respektimin e procedurave standarde të punës.

“Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi”, deklaroi Policia e Shtetit.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, KShH, shprehu shqetësim për incidentet e dhunshme, duke theksuar se sipas vëzhguesve të tij në terren dhe raportimeve publike, gjatë protestës ishin lënduar demonstrues, punonjës policie dhe gazetarë.

Organizata dënoi dhunën nga të gjitha palët, por paralajmëroi se veprimet e individëve të caktuar nuk duhet të shërbejnë si justifikim për përdorimin e forcës ndaj të gjithë protestuesve.

“Aktet e dhunës të kryera nga individë të caktuar nuk mund të shërbejnë si justifikim për trajtimin e të gjithë pjesëmarrësve si persona të dhunshëm”, theksoi KShH.

Organizata kërkoi që përdorimi i forcës nga policia të respektojë parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit, si dhe që të hetohen në mënyrë efektive dhe të pavarur të gjitha incidentet dhe pretendimet për dhunë të tepruar.

KShH kërkoi gjithashtu transparencë për personat e shoqëruar dhe të ndaluar, respektimin e të drejtave të tyre procedurale dhe garantimin e sigurisë së gazetarëve gjatë raportimit.

Protesta e studentëve erdhi pas më shumë se katër muajsh tubimesh kundër qeverisë në Tiranë, të nxitura fillimisht nga kundërshtimi ndaj projektit turistik në Zvërnec dhe shqetësimet për mbrojtjen e mjedisit dhe të drejtave të pronës.