Mund të shënonte tripletë, Daku sqaron vendimin për 11-metërshin
Mirlind Daku ishte pranë realizimit të një triplete në ndeshjen e Kupës së Rusisë ndaj Rodinës, por mundësia për të shënuar nga pika e bardhë iu besua një tjetër lojtari. Pavarësisht penalltisë së humbur, skuadra e tij triumfoi me rezultatin 2-4.
Episodi ndodhi në minutën e 25-të, kur Barko mori përsipër ekzekutimin e 11-metërshit, por nuk arriti të shënonte. Në vazhdim të aksionit, Markinjos përfitoi nga topi i kthyer dhe e dërgoi atë në rrjetë.
Pas përfundimit të takimit, foli Daku. “Sa i përket penalltisë, e pyeta dhe Barko më tha se dëshironte ta gjuante. Unë thjesht prisja që ai të shënonte. Kemi një komunikim të mirë me njëri-tjetrin. Sot e gjuajti ai”, u shpreh Daku.
