Policia shpërndan me forcë protestën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Rreth orës 17:40 të së shtunës, policia kreu mësymjen e parë ndaj protestuesve. Operacioni pasoi hedhjen e sasive të mëdha të gazit lotsjellës, i cili shënjestroi jo vetëm një grup prej qindra të rinjsh që qëllonin me gurë ndaj efektivëve, por edhe mijëra protestues e qytetarë që qëndronin paqësisht në zonën mes ish-hotel “Dajtit” dhe Parkut Rinia.
Forca të shumta policore, të organizuara në skuadra prej 10-12 vetash, u sulën në drejtim të bulevardit dhe rrugëve hyrëse në të, si drejt Rrugës së Elbasanit, ashtu edhe në krahun tjetër në drejtim të ish-Bllokut. Gjatë ndjekjes, policia ndaloi qytetarë dhe përdori shkopinjtë e gomës për të rrëzuar protestues në tokë, ndërsa të tjerë më me fat që u kapën në rrugë u urdhëruan të largoheshin.
Protestuesit, kryesisht një grup prej disa qindra vetash që iu përgjigj policisë me gurë dhe mjete të tjera, rezistuan. Në urën që lidh dy anët e Unazës pranë Katedrales Katolike, ata përdorën shishe molotov për të ndaluar avancimin e policisë. Kjo e fundit megjithatë i ndoqi të rinjtë deri në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit, ku aksioni i shpërndarjes u ndal. Të rinjtë u rikthyen më pas në grupe drejt bulevardit, duke qëlluar me gurë policinë, e cila kundërpërgjigjej me gaz lotsjellës.
Në pak minuta, palët u rikthyen në pozicionet fillestare, me policinë dhe mjetet e ujit me presion të vendosura përpara Kryeministrisë, ndërsa protestuesit u grumbulluan kryesisht mbi urën kryesore në bulevard.
Përplasja u rindez sërish në këtë pikë. Protestuesit përdorën gurë, fishekzjarrë dhe bomba molotov kundër kordonit, çka solli përfshirjen nga flakët të një punonjësi policie. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe plumba gome të qëlluar nga armë të tipit shotgun, duke goditur pa dallim si protestuesit e dhunshëm, ashtu edhe ata paqësorë.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, i pranishëm në protestë, denoncoi përdorimin e plumbave të gomës dhe deklaroi se ministri i Brendshëm do të mbante llogari për përdorimin e këtyre municioneve në protestë. Përdorimin e plumbave të gomës e dënoi edhe deputeti Agron Shehaj, drejtues i partisë “Mundësia”.
Numri i të lënduarve mbetet i paqartë, por të paktën një protestues mbeti pa ndjenja gjatë përplasjes, ndërsa dhjetëra të tjerë pësuan dëmtime të ndryshme në trup apo u asfiksuan nga gazi. Qytetarë vullnetarë të vendosur në pikat e ndihmës së shpejtë i thanë BIRN-it se kishin trajtuar plagë nga plumbat e gomës në trup, këmbë dhe fytyrë. Ata shtuan se shumë protestues u dëmtuan teksa vraponin gjatë ndjekjes nga policia.
Thuajse 40 minuta pas mësymjes së parë, policia e përsëriti përpjekjen për të shpërndarë protestën. Fillimisht, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) ia lanë ruajtjen e godinës së Kryeministrisë repartit RENEA, një lëvizje e diskutueshme, për sa kohë ky i fundit është një repart special që përdoret vetëm në raste të terrorizmit, pengmarrjes apo ndjekjes së personave me rrezikshmëri të lartë dhe të armatosur.
Më pas, qindra punonjës policie iu sulën protestuesve në rrugë, duke i ndjekur, ndaluar dhe rrahur. BIRN mësoi se policia nuk kurseu në mjaft raste as kalimtarët; disa protestues dhe qytetarë u ndoqën dhe u qëlluan me shkopinj gome deri në hyrje të Xhamisë së Et’hem Beut.
Ndërkohë, makina policie me dhe pa sinjalistikë ndoqën protestuesit në rrugë. Automjetet u filmuan duke lëvizur me shpejtësi mes kalimtarëve në sheshin “Skënderbej”, ndërsa forcat e policisë kryen një operacion “pastrimi” në të gjitha rrugët që lidhin sheshin me qendrën. Protestuesit, nga ana e tyre, u përgjigjën duke u vënë zjarrin dyerve të Bankës së Shqipërisë në godinën e ish-hotel “Dajtit”, ndërsa të tjerë i vunë flakën një pjese të godinës së Gjykatës së Lartë. Dëmi në këtë të fundit mbetet i paqartë, por zjarri u shua shpejt nga zjarrfikësit.
Situata kaotike vijoi në kryeqytet edhe gati dy orë pas nisjes së aksionit masiv të policisë për shpërndarjen e protestës, ndërsa mediat publikuan pamje nga kamerat e sigurisë që tregonin oficerë policie teksa ndalonin dhe godisnin kalimtarë në rrugë.
Sulmi i policisë mbrëmjen e së shtunës duket se ishte i planifikuar që prej fillimit të tubimit. Efektivë të vendosur edhe në tarracat e godinave publike hodhën masivisht gaz lotsjellës ndaj turmës, duke shënjestruar edhe pjesën më të madhe të qytetarëve që nuk ishin përfshirë në akte dhune. Në disa raste, gazi lotsjellës u hodh njëkohësisht nga disa drejtime, duke i izoluar protestuesit dhe qytetarët pa u lënë mundësi për t’u larguar.
Mijëra të rinj dhe qytetarë kanë dalë në shesh prej muajsh kryesisht kundër korrupsionit dhe me kërkesën për largimin e kryeministrit.
Një vajzë e re, studente në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, i tha BIRN-it se ishte pjesëmarrëse në protestë që prej qershorit, por theksoi se nuk shpresonte që qeveria do ta dëgjonte fjalën e tyre. “Nuk na dëgjuan kur ishim paqësorë, nuk do të na dëgjojnë as tani që po gjuajmë me gurë. Nuk e di se kur do të na dëgjojnë ne,” tha ajo.
Një i ri, i cili nuk ishte pjesë aktive e protestës, por qëndroi pranë Ministrisë së Arsimit gjatë ditës, i tha BIRN-it se arsyet për të protestuar ishin pa fund, duke iu referuar gjendjes së rëndë në spitale. “Pagova 23 mijë euro ndërhyrje kirurgjikale për nënën. Ka 33 vjet që paguan siguracione,” tha ai.
Situata të shtunën duket se ishte më e përshkallëzuar që prej fillimit të protestës pranë Ministrisë së Arsimit. Policia këtu përdori saçme dhe plumba plastikë, duke goditur protestues pa diskriminim. Ekipet e ndihmës së shpejtë thanë se të paktën një i ri pësoi dëmtime pranë syrit dhe një tjetër u godit në kokë nga plumbat plastikë. Ekipet thanë se patën edhe një rast infarkti në rrugë.
Përplasja e të shtunës ishte më masivja që prej fillimit të konfrontimeve fizike mes protestuesve, kryesisht të rinj e studentë, dhe policisë.
Përshkallëzimi i situatës në Tiranë nxiti reagime të menjëhershme ndërkombëtare dhe thirrje për dialog. Kongresmeni amerikan Joe Wilson shprehu shqetësimin e tij në rrjetin social “X”, duke i kërkuar qeverisë të ndalë dhunën.
“Po ndjek me shqetësim të madh krizën në përshkallëzim në Shqipërinë aleate të NATO-s. Populli shqiptar meriton liri, shtet të së drejtës dhe llogaridhënie institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo dhunë kundër protestuesve. Të rinjtë meritojnë një zë në të ardhmen e vendit të tyre,” shkroi Wilson.
Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Giovanni Peragine, vlerësoi në një deklaratë publike se protestat katërmujore dëshmojnë “një pakënaqësi të thellë shoqërore, që nuk mund të shpërfillet”. Duke theksuar se dhuna nuk justifikohet dhe “duhet dënuar qartë dhe pa asnjë rezervë”, Imzot Peragine vuri në dukje se një numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë protestuar paqësisht kundër një sistemi që “favorizon disa dhe penalizon shumë të tjerë”, pa gjetur dëgjimin dhe përgjigjet e duhura.
“Kur besimi te institucionet tronditet dhe paqja shoqërore vihet në rrezik, është detyrë e atyre që qeverisin të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të veprojnë pa vonesë, duke marrë me guxim edhe vendime të vështira, nëse këtë e kërkon e mira e vendit tonë. Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës së saj,” shtoi ai.
Edhe zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Shqipëri përsëriti apelin për dialog konstruktiv me qëllim uljen e tensioneve. Duke theksuar se aktet e dhunës dhe shkatërrimi i pronës publike apo private janë të papranueshme në një shoqëri demokratike, OKB u bëri thirrje autoriteteve për vetëpërmbajtje.
“Përforcojmë mesazhin se e drejta për tubim paqësor dhe liria e shtypit janë të drejta themelore që duhen respektuar dhe mbrojtur. Theksojmë gjithashtu rëndësinë e respektimit të parimit të proporcionalitetit në veprimet e forcave të rendit dhe të garancive për një proces të rregullt ligjor,” thuhet në reagimin e OKB-së.
