Mon, Oct 19, 2026

Deputetja Koçeku i kërkon faktorit ndërkombëtar të reagojë për dhunën policore

Deputetja Koçeku i kërkon faktorit ndërkombëtar të reagojë për dhunën policore
  • PublishedOctober 19, 2026
Deputetja Marjana Koçeku

Në një letër të hapur drejtuar përfaqësive diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, ish-deputetja socialiste Marjana Koçeku u kërkon që të reagojnë dhe të kërkojnë hetim të pavarur ndaj dhunës policore në protestën e të rinjve dhe për ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa shenja identifikimi policor.

Letra i drejtohet Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Prezencës së OSBE-së, Zyrës së Këshillit të Evropës, Kombeve të Bashkuara dhe misioneve diplomatike të akredituara në Shqipëri.

Deputetja e qarkut Shkodër Koçeku dha dorëheqjen si deputete e PS-së në muajin qershor duke dalë në krah të protestave antiqeveritare dhe u pozicionua si deputete e pavarur në Kuvend.

Në letrën ndaj faktorit ndërkombëtar ajo ngre shqetësimin “për dhunën e rëndë policore ndaj protestuesve, veçanërisht të miturve, ndalimet arbitrare dhe ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa identifikim policor, gjatë protestave të fundit në të gjithë Shqipërinë”

“Duke qenë personalisht e pranishme në protesta, kam parë vendosmërinë e të rinjve shqiptarë, të cilët kërkojnë ndryshim, llogaridhënie dhe një të ardhme më të mirë, në kushtet e pakënaqësisë së përhapur ndaj korrupsionit, mundësive të kufizuara dhe dështimeve institucionale”, shkruan ajo duke shtuar se këto kërkesat e tyre duan përgjigje serioze politike dhe institucionale.

“Në vend të kësaj, veprimet e fundit të forcave të rendit kanë ngritur pikëpyetje të rënda për mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore”, konstaton deputetja.

Koçeku konsideron si alarmante dhunën ndaj të miturve.

Ajo kërkon gjithashtu hetimin e ndërhyrjeve të personave me veshje civile dhe pa shenja të dukshme identifikimi policor, të cilët, sipas saj, kanë larguar me forcë protestues nga tubimet. Ajo kërkon që autoritetet të sqarojnë identitetin dhe statusin e këtyre personave, kompetencat që kanë pasur, bazën ligjore të ndërhyrjeve, zinxhirin e komandimit dhe vendin ku janë mbajtur personat e privuar nga liria. Sipas deputetes, edhe personeli policor me veshje civile është i detyruar të veprojë brenda ligjit dhe të respektojë të drejtat e personave të ndaluar.

Në letër ngrihen pikëpyetje edhe për planifikimin, drejtimin dhe mbikëqyrjen e operacioneve policore, për të cilat deputetja kërkon që hetimi të mos kufizohet vetëm te përgjegjësia individuale e efektivëve, por të shqyrtojë edhe udhëzimet e dhëna, rrethanat në të cilat është përdorur forca dhe përgjegjësinë e drejtuesve të operacioneve. Ajo thekson se liria e shprehjes dhe e tubimit paqësor janë të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërsa përdorimi i forcës duhet të respektojë parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit.

Koçeku u kërkon misioneve ndërkombëtare të dënojnë publikisht dhunën ndaj protestuesve, të kërkojnë hetime të menjëhershme, të pavarura dhe të paanshme për dhunën, keqtrajtimet dhe ndalimet e paligjshme, si dhe një shqyrtim të pavarur të ndërhyrjeve të personave civilë. Ajo kërkon vëmendje të posaçme për të miturit e ndaluar dhe respektimin e garancive të tyre procedurale, ndërsa u bën thirrje përfaqësive diplomatike që këto shqetësime t’ia përcjellin Qeverisë shqiptare përmes kanaleve diplomatike.