PSG, Luis Enrique: Ndeshje speciale ndaj Barcelonës, por jemi gati!
Trajneri i PSG, Luis Enrique doli në konferencë para takimit ndaj Barcelonës në Champions.
“Kam qenë pjesë e klubit, lojtar dhe trajner – për gjashtë vite – te Barcelona. Kam një lidhje të jashtëzakonshme me Katalonjën; gruaja dhe fëmijët e mi janë katalanas. Jam thellësisht i lidhur me Barçën, por jam trajner i PSG-së. Megjithatë, i ndjek të gjitha ndeshjet e Barcelonës si tifoz, jo si trajner. Rastësisht, më bie të luaj kundër tyre pothuajse çdo vit – diçka që në fillim nuk më pëlqente dhe e kisha të vështirë ta përballoja. Tani kam filluar të mësohem dhe kam ndërmend ta qas këtë ndeshje me përkushtimin më të madh.
Ata janë një ekip unik – shumë ndryshe nga të tjerët – që luan futboll në mënyrë të ngjashme me ne. Kanë lojtarë të një cilësie të lartë dhe një frymë sportive të rrënjosur në vlera shumë të qarta – vlera që unë i dua.
Sipas mendimit tim, ata janë ekipi më i ngjashëm me PSG-në aktuale. Megjithatë, dua të fitoj sepse jam një person konkurrues dhe jam edhe më i motivuar për t’u përballur me një klub që do të thotë kaq shumë për mua – një vend ku dikur jam ndjerë kaq i rëndësishëm.”
