Mon, Oct 19, 2026

Rama akuzon Rusinë dhe Iranin për protestat, premton shpërblime për policët dhe ndëshkime për studentët

Rama akuzon Rusinë dhe Iranin për protestat, premton shpërblime për policët dhe ndëshkime për studentët
  • PublishedOctober 19, 2026
Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp : Foto: LSA

Kryeministri Edi Rama ashpërsoi të hënën retorikën kundër protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e tij, duke i lidhur trazirat e ditëve të fundit me ndikimin e Rusisë, Iranit dhe lëvizjeve të ekstremit të majtë, ndërsa shprehu mbështetje të pakushtëzuar për Policinë e Shtetit, e cila është përballur me akuza për përdorim joproporcional të forcës ndaj demonstruesve.

Në një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit më 19 tetor, ndërsa protestat kundër qeverisë hynë në javën e dytë, Rama premtoi një shpërblim të menjëhershëm prej 2,500 eurosh për çdo efektiv të angazhuar në përballimin e protestave, si dhe rritje të konsiderueshme të pagave duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm.

Kryeministri e paraqiti protestën si pjesë të një sulmi të koordinuar kundër Shqipërisë dhe aspiratave të saj për integrimin në Bashkimin Europian, duke pretenduar se pas mobilizimit të të rinjve qëndrojnë edhe shërbime të huaja.

Sipas tij, Rusia dhe Irani kanë përdorur mijëra profile të rreme në rrjetet sociale për të nxitur pakënaqësitë kundër qeverisë, fillimisht përmes protestave mjedisore kundër projekteve turistike në Zvërnec dhe Sazan.

“Me mijëra e mijëra, dhjetëra mijëra profile false të krijuara enkas si shqiptarë që kërkonin të mbronin natyrën, u vunë në lëvizje, ashtu sikundër u vunë në lëvizje me mijëra e mijëra të tjera nga Republika terroriste e Iranit”, deklaroi Rama.

Ai i lidhi protestat gjithashtu me lëvizjen ANTIFA, duke iu referuar shpalljes së saj si organizatë terroriste nga presidenti amerikan Donald Trump.

Kryeministri nuk paraqiti prova konkrete për përfshirjen e shërbimeve ruse apo iraniane në organizimin e protestave, ndërsa pranoi se pjesëmarrësit janë kryesisht të rinj shqiptarë.

Rama i cilësoi ata si të ndikuar nga një ideologji ekstremiste që synon përmbysjen e rendit ekzistues, duke vënë në dyshim edhe karakterin studentor të lëvizjes.

“Kjo nuk është një revoltë për arsimin”, deklaroi ai, duke e krahasuar protestën aktuale me mobilizimin paqësor të studentëve në vitin 2018.

Deklaratat e tij vijnë pas një jave protestash që nisën më 13 tetor dhe u përhapën nga Tirana në disa qytete të tjera, me pjesëmarrjen e mijëra nxënësve, studentëve dhe qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.

Protestat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme, sulme ndaj institucioneve shtetërore, djegie dhe dëmtime të pronës publike e private.

Nga ana tjetër, policia ka përdorur gaz lotsjellës, topa uji, plumba gome dhe forcë fizike për shpërndarjen e demonstruesve.

Avokati i Popullit ka nisur hetime administrative mbi përdorimin e forcës dhe ka evidentuar shqetësime lidhur me trajtimin e personave të ndaluar, përfshirë të miturit.

Pavarësisht këtyre shqetësimeve, Rama mbrojti veprimet e policisë dhe argumentoi se edhe personat që qëndrojnë pranë demonstruesve të dhunshëm mund të bëhen objekt i ndërhyrjes policore.

“Çdokush që është në një manifestim të dhunshëm është objekt i Policisë së Shtetit”, deklaroi ai.

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu pasoja financiare dhe administrative për protestuesit, duke deklaruar se familjet e të miturve do të detyrohen të paguajnë dëmet e shkaktuara gjatë protestave.

“I them të gjitha familjeve të atyre të miturve, do të paguani”, tha Rama, duke shtuar se fatura e dëmeve do t’i ndjekë familjet që, sipas tij, nuk kanë ushtruar përgjegjësinë prindërore.

Ai paralajmëroi gjithashtu se studentët që kanë ushtruar dhunë ndaj policisë do të humbasin bursat, mbështetjen financiare dhe përfitimet nga arsimi falas.

“Nuk do të kenë arsim falas. Ata studentë që dalin dhe dhunojnë Policinë e Shtetit nuk do të kenë bursa, nuk do të kenë mbështetje financiare nga shteti”, deklaroi kryeministri.

Rama nuk shpjegoi se mbi cilën bazë ligjore do të vendoseshin këto masa, cilat institucione do t’i zbatonin dhe nëse ato do të kushtëzoheshin nga vendime gjyqësore të formës së prerë.

Në fjalimin e tij, kryeministri sulmoi gjithashtu mediat kritike ndaj qeverisë, përfshirë News24 dhe Syri TV, duke hedhur akuza për evazion fiskal dhe pastrim parash, pa paraqitur prova në mbështetje të tyre.

Ai akuzoi edhe Partinë Demokratike dhe komentatorë politikë se po nxisin përshkallëzimin e dhunës, duke pretenduar se kundërshtarët e tij shpresojnë në një incident fatal që do të çonte në një krizë më të thellë politike.

Megjithatë, Rama përsëriti se është i gatshëm për dialog me protestuesit paqësorë, por përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje që do të përfshinte dorëheqjen e tij ose ndryshimin e qeverisë.

“Dialog në çdo orë, në çdo ditë, në çdo vend me këdo përveç forcave politike që janë mbrapa dhunës dhe që nuk distancohen nga dhuna”, tha ai.

Duke iu përgjigjur kërkesës kryesore të protestuesve për largimin e tij nga pushteti, Rama këmbënguli se mandati i tij buron nga zgjedhjet dhe përfundon në vitin 2029.

“Për mua zyra e kryeministrit nuk është vend pune,” tha ai. “Është mision që ma kanë ngarkuar 800 e ca mijë e kusur shqiptarë në bazë të një kontrate që mbaron 2029-ën”, përfundoi Rama.